image Stoik në kërkesat e tyre, punëtorët e administratës në Pallatin e Drejtësisë nuk e ndërpresin grevën as pas vizitës së ministres Haxhiu - Sinjali

Stoik në kërkesat e tyre, punëtorët e administratës në Pallatin e Drejtësisë nuk e ndërpresin grevën as pas vizitës së ministres Haxhiu

news image

Në Pallatin e Drejtësisë po vazhdon greva e punëtorëve të administratës për të nëntën ditë me radhë (pa fundjavën). Këshilli grevist ka pasur takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, por pa ndonjë rezultat.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi thotë nuk ka ndërprerje të grevës deri në realizimin e kërkesave.

Sot është dita e nëntë e grevës në Pallatin e Drejtësisë dhe për këto nëntë ditë sa jemi në grevë ne kemi pasur dy takime, njërin me Ministrinë e Drejtësisë, me ministren Albulena Haxhiu, me zëvendësministrin, Blerim Sallahun, edhe me hierarkinë e komplet sistemit së drejtësisë me cilët kemi biseduar për kërkesat. I kemi njoftuar, madje edhe kërkesat tona datojnë qysh nga 25 maji… Pas tri dite që ka filluar greva ne kemi pasur atë takim mirëpo ka rezultuar pa sukses sepse nuk na është plotësuar asnjë kërkesë e jona. Më 7 mars, ne kemi pasur prapë një takim si këshill grevist dhe sindikata, e kemi pasur në lokalet e Këshillit gjyqësor dhe prapë nuk kemi has në mirëkuptim, përjashtim që ata thonë se kërkesat tona janë reale, mirëpo janë të pamundshme sepse nuk kanë buxhet”, thotë ai.

Rrustemi thotë se reflektimin e presin nga institucionet qendrore dhe se grevën do ta vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave.

“Ne presim reflektimin e institucioneve qendrore sepse ata janë kompetentë për kërkesat tona, mirëpo edhe nëse brenda 2-3 dite nuk vijnë dhe nuk reflektojnë atëherë si këshill grevist ne do të ulemi dhe do t’i rishikojmë masat. Greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave tona”, thotë Rrustemi.

Përfaqësuesi i Gjykatës Supreme, Qani Rexhepi thotë për KosovaPress se nuk do të ndalojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Nuk do të tërhiqemi derisa të plotësohen kërkesat tona. Asgjë nuk kemi, janë kanë në Themelore, por me shkrim nuk kemi ende asgjë”, shprehet Rexhepi.

Kërkesat e Këshillit grevist janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për plotësim dhe ndryshim të ligjit për zyrtarë publikë; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga, si dhe pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro.

I gjithë stafi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është në grevë përpos gjyqtarëve.

Këshilli grevist me kryesitë e sindikatave do t’i përmbahen në përpikëri Ligjit mbi grevat duke lejuar që lëndët e natyrës urgjente si lëndët me paraburgim dhe lëndët me të cilat rrezikohet personaliteti i njeriut (dhuna në familje) të lejohen të punohet si dhe shkresat që i adresohen Gjykatës të pranohen nga stafi i arshivës në kohën e caktuar nga Këshilli grevist./kp/

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin