image Stano: Jemi në kontakt me të dyja palët dhe KFOR-in për të kuptuar saktësisht se çfarë dhe si ka ndodhur

Politikë

Stano: Jemi në kontakt me të dyja palët dhe KFOR-in për të kuptuar saktësisht se çfarë dhe si ka ndodhur

news image

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë të ditur se BE-ja është në kontakt me autoritetet në Prishtinë dhe Beograd, si dhe me KFOR-in, për të sqaruar se çfarë ka ndodhur saktësisht me kidnapimin e tre policëve kosovarë në veri.

Lidhur me arrestimin e policëve të Kosovës, ai tha:

“Që nga arrestimi i policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, ne kemi qenë në kontakt me të dyja palët dhe me KFOR-in për të kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Është e rëndësishme të kemi një vlerësim të qartë të gjithë ngjarjes. Deri atëherë, ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të mos ndërmarrin asnjë veprim apo reagim që mund të nxisë më tej një situatë tashmë shumë të tensionuar dhe ne përsërisim thirrjen tonë që të dyja palët të de-përshkallëzojnë menjëherë”, tha Stano.

Stano ndër të tjerash ka konfirmuar se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në një takim për krizën në Bruksel javën e ardhshme.

Ai shtoi se për momentin nuk mund të japë më shumë detaje.

“Nuk mund të them asgjë më shumë sepse sigurisht që proceset janë në vazhdim. Më shumë detaje do të publikojmë më vonë”, tha Stano.

/GazetaSinjali/