Zëdhënësi për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në Bashkimin Evropian, Peter Stano, ka demantuar raportimin e medieve, se në muajin mars të këtij viti parashihet të ketë finalizim të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
BE-ja ka deklaruar se ata intensivisht janë të angazhuar për t’i ndihmuar të dyja palët për vazhdimësi të dialogut, mirëpo kanë shtuar se nuk duan të komentojnë sa i përket këtyre spekulimeve.
“Ne nuk komentojmë spekulimet që qarkullojnë rreth një afati kohor të supozuar për Dialogun. BE-ja vazhdon të punojë intensivisht për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara, por çdo progres dhe afate kohore varen plotësisht nga ato dhe aftësia e tyre për të gjetur konsensusin dhe kompromisin e nevojshëm”, thuhet në përgjigjen e BE për Tëvë1.
Njëherit, në përmbyllje të kësaj përgjigje, BE ka theksuar se çdo takim i dialogut do të njoftohet në kohë të përshtatshme.
Kujtojmë se Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të shfrytëzohet momentumi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ai tha se deri në mars të vitit 2023 do të shohin se sa progres po bëhet në këtë proces dhe kah po shkon i njëjti.