“Spitali Amerikan, përqafoje jetën” është motoja e këtij institucioni privat shëndetësor, i cili përmes keqpërdorimit të emrit të shtetit amerikan, promovon besueshmëri shërbimesh duke joshur pacientët me qëllim të rritjes së përfitimit.
Në vend të përqafimit të jetës, qytetarët të paktën për një gjë po e përqafojnë mashtrimin dhe lajthitjen, pasi ky institucion ndonëse mban emrin Spitali Amerikan nuk e ka as edhe një mjek të këtij shteti me mjekësi të avancuar.
Drejtuesit e këtij institucioni janë mbyllur për komunikim rreth kësaj teme të ngritur nga Sinjali. Prej 3 shtatorit, ata nuk kanë kthyer përgjigje, anipse gazeta kishte dërguar pyetje në adresë të këtij institucioni.
Të kontaktuar përmes telefonit, në fillim të kësaj jave, zyrtarët e këtij spitali kishin parapëlqyer formën e komunikimit përmes postës elektronike, por përkundër faktit se i kanë pranuar pyetjet, kanë zgjedhur heshtjen për këtë temë.
Dy ditë pasi kanë pranuar pyetjet, më 5 shtator, e tëra çfarë kanë bërë është sqarimi përmes faqes zyrtare të Spitalit Amerikan në facebook, se kush janë aksionarët e spitalit dhe kush i financon, por jo edhe pse në këtë institucion që mban emrin amerikan nuk është i punësuar asnjë mjek amerikan.
Sinjali ka raportuar gjatë javës, sesi Spitali Amerikan dhe Klinika Gjermane e Syrit ndonëse mbajnë emra shtetesh me mjekësi të avancuar nuk kanë fare mjekë nga këto shtete.
Drejtuesit e këtyre institucioneve shëndetësore private po i përdorin këto emërtime shtetesh me qëllim të reflektimit të besueshmërisë më të madhe ndaj publikut dhe lajthitjes së pacientëve për t`i joshur ata si klientelë me ofrimin e “shërbime të avancuara amerikane” ose gjermane.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve, PRAK këtë formë të reklamës e ka konsideruar mashtrim ndaj pacientëve që bëhet me qëllim të tërheqjes së tyre dhe maksimizimit të fitimit nga ta. Përndryshe, kjo shoqatë ka theksuar se do të përdoreshin emra të shteteve që kanë shëndetësi të pazhvilluar.
Në këto institucione private shëndetësore që mbajnë emra të “mëdhenj”, shumica dërrmuese e personelit shëndetësor janë vendës. Madje, shumë prej tyre janë të njëjtit që punojnë edhe në institucionet publike shëndetësore, shkruan Sinjali.
Lidhur me këtë çështje, as Ministria e Shëndetësisë nuk ka kthyer përgjigje qe një javë përkundër faktit se Divizioni për Komunikim kishte lajmëruar redaksinë se pyetjet i janë përcjellë departamentit përkatës dhe se do të përgjigjen sapo t`i kenë të dhënat.
Udhëzimi Administrativ për Licencimin e Institucioneve Private Shëndetësore, nuk përcakton kritere rreth emërtimit të institucioneve shëndetësore ndërsa kjo zbrazëtirë juridike është shfrytëzuar mjaftë mirë nga Spitali Amerikan dhe Klinika Gjermane e Syrit.
Derisa institucionet private shëndetësore proklamojnë shërbime të standardeve të larta mjekësore të mishëruara nga shtetet me mjekësi të avancuar, shumë qytetarë po detyrohen të kërkojnë shërim shëndetësor jashtë vendit duke paguar shuma të majme parash./Sinjali/