image Specialja ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit për krim të organizuar

Drejtësi

Specialja ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit për krim të organizuar

news image

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale M.F., për veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, shkruan Gazeta Sinjali.

Ngritja e aktakuzës u bë tash, pasi i pandehuri deri tani ishte i paaftë për t’u përballuar me gjykimin për shkak të gjendjes jo të mirë të shëndetit të tij mendor.

M.F, akuzohet se nga 1 korriku deri më 23 nëntor të vitit 2013 dhe nga fillimi i 2018-ës deri më 24 korrik të vitit 2019, me dashje dhe me vetëdije, si grup kriminal me pjesëtarë të tjerë ka kryer vepra penale të dënueshme me së paku 4 vjet burgim.

Sipas aktakuzës, i pandehuri aktivisht ka marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit, duke e ditur se pjesëmarrja e tij do të kontribuojë me vetëdije, së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit, në realizimin e veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim dhe shitje të paautorizuar të armëve dhe tranport të municonit të ndryshëm nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë.

Andaj, me këtë veprime, prokuroria vlerëson se i pandehuri ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të KPRK-ë, lidhur me veprën penale, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 372 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së)./Gazeta Sinjali/