image Specialja: Në gjykimin ndaj Salih Mustafës janë tetë viktima pjesëmarrëse

Drejtësi

Specialja: Në gjykimin ndaj Salih Mustafës janë tetë viktima pjesëmarrëse

news image

Në gjykimin ndaj Salih Mustafës janë tetë viktima pjesëmarrëse, kështu ka bërë të ditur përmes platformës online “Zoom”, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Me çështjen gjyqësore ndaj Salih Mustafës, ajo bëri të ditur se të premten e kaluar, me 22 prill, ka dhënë dëshminë dëshmitari i trembëdhjetë i thirrur nga mbrojtja e Salih Mustafës që dëshmoi kryesisht në seancë publike.

Ajo ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ftuar 13 dëshmitarë për të dhënë dëshmi në gjykatë dhe ka mbyllur paraqitjen e provave të saj me 4 shkurt të këtij viti.

“Mbrojtja filloi me paraqitjen e provave të veta me 22 mars dhe deri tani ka thirrur 13 dëshmitarë. Në bazë të Rregullores të Procedurave dhe Provave të DhSK-së, si prokurorisë edhe mbrojtjes u është dhënë mundësia për tu drejtuar pyetje dëshmitarëve të thirrur nga pala tjetër. Aktualisht ka 8 viktima pjesëmarrëse në këtë çështje dhe përfaqësohen si një grup i vetëm nga mbrojtësja e viktimave e mbështetur nga anëtarët e ekipit të saj ligjor”, ka thënë Griep.

Sipas saj, të hënën e shkuar,  me 25 prill, trupi gjykues në çështjen Salih Mustafa nxori një urdhër me të cilin i kërkonte Ministrisë të Drejtësisë, të paraqes parashtrime të mëtejme lidhur me modalitetet e mundshme që viktimat të marrin kompensim, por njëkohësisht të mbeten anonim, në rast se do të ketë shpallje të fajësisë për Mustafën.

/GazetaSinjali/