image Specialja cakton panelin për të vendosur në lidhje me apelin që refuzoi viktimat në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

Drejtësi

Specialja cakton panelin për të vendosur në lidhje me apelin që refuzoi viktimat në rastin e Thaçit dhe të tjerëve

news image

Gjykata Speciale ka njoftuar se është caktuar paneli i cili do të vendos në lidhje me apelin për pjesëmarrjen e viktimave, transmeton Sinjali.

Siç bëhet e ditur nga Dhomat e Specializuara, Ekaterina Trendafilova ka caktuar panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë prej gjykatësve Mishelw Pikar, Emilio Gati dhe Kai Ambos, për marrjen e vendimit lidhur me apelin kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake me të cilin ai refuzoi kërkesat e disa individëve për të marrë pjesë si viktima në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999.

Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./Gazeta Sinjali/