image Spanja fiton Botërorin dhe 51 milionë dollarë, lojtarët pritet të marrin deri në 940 mijë secili

Botërori 2026

Spanja fiton Botërorin dhe 51 milionë dollarë, lojtarët pritet të marrin deri në 940 mijë secili

news image

Kupa e Botës 2026 ka vendosur rekord të ri edhe për fondin e shpërblimeve financiare, ndërsa Spanja, si kampione e botës, do të përfitojë shumën më të madhe të ndarë ndonjëherë nga FIFA për fituesen e turneut.

Kombëtarja spanjolle do të marrë 51 milionë dollarë, pas triumfit 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e zhvilluar në Nju Xhersi.

Goli vendimtar u shënua nga Ferran Torres në minutën e 106-të, duke ia siguruar Spanjës titullin e dytë botëror në histori.

Finalja ishte e ekuilibruar dhe me pak raste për shënim, ndërsa rrjedha e ndeshjes ndryshoi pas përjashtimit të Enzo Fernandezit. Mesfushori argjentinas mori kartonin e dytë të verdhë në minutat shtesë të kohës së rregullt, pas një ndërhyrjeje ndaj Pau Cubarsit.

Me një lojtar më shumë në fushë, skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente mori kontrollin dhe e siguroi fitoren gjatë vazhdimeve.

Sipas raportimeve të gazetës spanjolle “AS”, vetëm për arritjen në finale, secilit prej 26 futbollistëve spanjollë i ishte garantuar një bonus prej më shumë se 550 mijë dollarësh para tatimeve.

Pas fitimit të trofeut, futbollistët pritet të ndajnë 45 për qind të shpërblimit prej 51 milionë dollarësh. Sipas përllogaritjeve, secili lojtar mund të përfitojë rreth 883 mijë dollarë, ndërsa raportimet në Spanjë e vlerësojnë shumën përfundimtare në rreth 940 mijë dollarë, varësisht nga bonuset shtesë dhe mënyra e ndarjes.

Argjentina do të përfitojë 34 milionë dollarë si nënkampione, ndërsa Anglia, e renditur në vendin e tretë, do të marrë 30 milionë dollarë. Franca do të përfitojë 28 milionë dollarë për vendin e katërt.

Kombëtaret e renditura nga vendi i pestë deri në të tetin do të marrin nga 20 milionë dollarë, ato nga vendi i nëntë deri në të 16-in nga 16 milionë, ndërsa ekipet e renditura nga pozita 17 deri në 32 do të përfitojnë nga 12 milionë dollarë.

Fondi i përgjithshëm i FIFA-s për Botërorin 2026 arriti në 871 milionë dollarë. Prej tyre, 703 milionë u ndanë sipas rezultateve të kombëtareve në turne, ndërsa 168 milionë dollarët e mbetur iu shpërndanë të gjitha përfaqësueseve pjesëmarrëse.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/