Spanja dhe Portugalia janë përfshirë nga një valë e të nxehtit me rrezik shumë të lartë për zjarre në pjesën më të madhe të gadishullit, paralajmëruan sot autoritetet në të dyja vendet.
Këto rreziqe zjarri janë edhe më shqetësuese në Spanjë dhe Portugali, duke qenë se pellgu i Mesdheut ka qenë prej disa javësh skenë zjarresh shkatërruese, veçanërisht në Greqi dhe Algjeri, raporton AFP, transmeton Gazeta Sinjali.
“Në Spanjë, rreziku i zjarrit vlerësohet ‘ekstrem’ në pjesën më të madhe të vendit, sot dhe të premten”, tha Agjencia Meteorologjike Kombëtare (AEMET), që ende nuk ka dhënë parashikimin e saj të rrezikut për ditët në vijim.
“Në Portugali, alarmi i zjarrit është “maksimal” midis të enjtes dhe të hënës në rajonet veriore dhe qendrore të brendshme të vendit, si edhe në disa zona të Algarve-s”, raportoi Météo Portugal.
Këto rreziqe janë shkaktuar nga një valë nxehtësie që do të sjellë temperatura 40 gradë Celsius, të paktën deri të hënën, në pjesën më të madhe të gadishullit, me kulme qartësisht më të larta në disa rajone, ku temperaturat mund të arrijnë deri në 45 gradë Celsius./Gazeta Sinjali/