Sot (e shtunë) janë në orar për t’u zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 32-të në Superligën e Kosovës në futboll, shkruan Sinjali Sport.
Superliga e Kosovës ka hyrë në fazën e nxehtë dhe me vetëm pesë ndeshje deri në mbylljen e sezonit 2020/21.
Gjashtë skuadra, në tri ndeshje do të kërkojnë sot pikët e plota për t’i ndihmuar në garën për titull dhe për mbijetesë.
Ndeshja kryesore e ditës së sotme padyshim se zhvillohet në “Stadiumin e Qytetit” në Gjilan, ku Drita pret Feronikelin në ndeshjen me objektiva diametralisht të kundërta të dy skuadrave.
Interesant pritet të jetë edhe në stadiumin “Zahiri Pajaziti” në Podujevë, ku Arbëria luan si nikoqire e Gjilanit, me klubin nga Dobraja që synon pikët e plota për të shtuar shpresat e mbijetesës, ndërsa mysafirët janë katapultuar në mesin e tabelës.
Pikë për mbijetesë kërkon edhe Trepça ’89 që e pret Besën e Pejës në stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës.
Të gjitha takimet pritet të fillojnë nga ora 15:00. /Gazeta Sinjali Sporti/