Sot do të bëhet varrimi i Boletin Reçicës, 18 vjeçarit nga Prishtina i cili vdiq mbrëmjen e së dielës në një aksident trafiku, në qytetin Waldburg të Gjermanisë.
Familjarët kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 15:00 në varrezat e qytetit në Arbëri.
“Të dashur miq, shokë dhe dashamirë, ju njoftojmë se varrimi i të ndjerit Boletin (Isa) Reçica, bëhet sot në orën 15:00, në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan), Prishtinë!”, kanë njoftuar familjarët në rrjetin social Facebook.
Në këtë aksident u përplasën dy vetura, ku 18-vjeçari nga Prishtina, vdiq në vend, ndërsa 4 persona të tjerë janë lënduar rëndë dhe janë dërguar në urgjencë.
Mediat gjermane tregojnë se vetura e të riut kosovar kishte hyrë në korsinë e kundërt, duke u përplasur me veturën tjetër që brenda saj ishin 4 persona (dy fëmijë dhe 2 prindërit).
Po ashtu, policia gjermane ka konfirmuar këtë lajm, ku tha se të dielën mbrëma ndodhi aksidenti dhe rruga mbeti e mbyllur plotësisht, deri në orën 21.15 midis Waldburg dhe Badstuben (rrethi Ravensburg).
Policia gjermane bën të ditur se fëmijët që ishin të përfshirë në këtë aksident ishin të moshës dhjetë dhe dymbëdhjetë vjeç dhe gjendja e tyre është e rëndë. /Gazeta Sinjali/