image Sot pritet të vazhdojë gjykimi për korrupsion ndaj Xhabir Zharkut

Drejtësi

Sot pritet të vazhdojë gjykimi për korrupsion ndaj Xhabir Zharkut

news image

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Xhabir Zharkut, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, i akuzuar për korrupsion.

Seanca e fundit për këtë rast, u mbajt më 28 dhjetor 2021, ku dha dëshminë e tij dëshmitari Zeqiria Morina.

Ndryshe, Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.

/Gazeta Sinjali/