Sot, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të mbahet mbledhja e radhës për Kosovën, në të cilën do të diskutohet raporti i periudhës shtator 2020 – mars 2021, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo seancë e kryesuar nga Vietnami është paralajmëruar se do të zhvillohet online, për shkak të pandemisë.
Në këtë seancë pritet të diskutohet edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë, themelimin e institucioneve dhe aktakuzat e konfirmuara nga Gjykata Speciale në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Kurse, Kosovës dhe Serbisë pritet t’i bëhet thirrje për vazhdimin e dialogut në Bruksel.
Po ashtu, institucioneve të reja të Kosovës do t’u kërkohet që të punojnë për të përmbushur sfidat e ngutshme, përfshirë ndikimin shëndetësor dhe socio-ekonomik të pandemisë COVID-19./Gazeta Sinjali/