image Sot jepet fjala përfundimtare në rastin ndaj Kristë Gjokajt dhe policëve që keqtrajtuan qytetarin në stacion

Drejtësi

Sot jepet fjala përfundimtare në rastin ndaj Kristë Gjokajt dhe policëve që keqtrajtuan qytetarin në stacion

news image

Sot duke filluar nga ora 13:00 do të mbahet seanca ndaj ish-komandantit të stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe zyrtarëve të tjerë policorë, të cilët po akuzohen për keqtrajtimin e një të prangosuri brenda stacionit policor. Në seancën e sotme do të jepet fjala përfundimtare lidhur me këtë rast.

Seanca e fundit ndaj të akuzuarve, pas kthimit të rastit në rigjykim është mbajtur më 6 prill, ku Kristë Gjokaj dhe tre zyrtarët policorë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se keqtrajtuan qytetarin në stacionin policor. Derisa i akuzuari tjetër, Milot Ukaj e kishte pranuar fajësinë në mënyrë të pjesshme, por që i ishte refuzuar nga gjyqtari.

Në seancën e kaluar është bërë shikimi dhe dëgjimi i video-incizimeve lidhur me rastin, raporton Gazeta Sinjali.

Ndryshe, Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast, duke publikuar edhe videon e trajtimit çnjerëzor të qytetarit të prangosur në stacionin policor të Gjakovës.

Sipas aktakuzës, komandanti Kristë Gjokaj, më 14 nëntor 2018, në objektin e stacionit policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi i cili kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur si i dyshuar për dy vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte ulur në karrige, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, derisa nga aty të pandehurin e largon një zyrtar policor.

Ndërsa për katër të akuzuarit e tjerë theksohet se kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, ashtu që me qëllim që të nxjerrin informacione, për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, për të cilat i dëmtuari ka qenë i dyshuar, e sulmojnë fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

Shaban Limanaj akuzohet se ka kryer veprën tjetër penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Sipas aktakuzës, Shaban Limanaj, si person përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, pasi iu ka mundësuar policëve Milot Ukaj, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari Muhamer Raifi të cilët pastaj e kanë keqtrajtuar duke e sulmuar fizikisht.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/