Sot është ditëlindja e 59-të e heroit Agim Ramadani.
Agim Ramadani i njohur me nofkën “Katana”, ka lindur më 3 maj të vitit 1963 në Zhegër të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, drejtimi ekonomik, në Gjilan.
Pas marrjes pjesë në organizimin e demonstratave të vitit 1981 në Gjilan, Agim Ramadani ishte përjashtuar nga procesi mësimor dhe ishte dënuar me dy muaj burg. Meqenëse ishte maturant, pas daljes nga burgu atij iu mundësua kryerja e maturës dhe arrin të regjistrohet në Akademinë Ushtarake të Zagrebit. Në këtë akademi ai merr titullin inxhinier i komunikacionit tokësor.
Pas kryerjes së akademisë ushtarake, Agimi një kohë shërben në disa prej kazermave të ushtrisë së atëhershme jugosllave, por duke i parë shkeljet e të drejtave kombëtare të të gjitha nacionaliteteve joserbe, nga armata jugosllave, ai dezërton nga radhët e kësaj ushtrie.
Së bashku me të shoqen Shukrien e me dy fëmijët, Jetonin dhe Edonin, në fund të dhjetorit të vitit 1992 shkon në Zvicër. Atje ai do të punojë për të vënë në funksion të shërbimit të atdheut, fjalën artistike, aktivitetin kulturor dhe veprimtarinë patriotike.
Agim Ramadani hyri në Kosovë, më 24 qershor 1998 dhe u vendos në Zonën e Dukagjinit: në Bjeshkët e Deçanit, Junikut, Jasiqit, Gjocajve, Batushës.
Synimi kryesor i Agim Ramadanit, sikurse edhe i të gjithë luftëtarëve të tjerë, ishte heqja e kufirit në mes të trojeve shqiptare, kufi ky që ishte fat i keq i të gjithë brezave të shqiptarëve të mbetur jashtë trungut të Shqipërisë administrative.
Në orën 3 të mëngjesit të hershëm të 9 prillit 1999, një njësit i Brigadës të Zonës Operative të Dukagjinit, me 69 ushtarë, i udhëhequr nga Agim Ramadani, me përpjekjet heroike, mori njërën pas tjetrës të gjitha objektet dhe pikat e zjarrit të okupatorit serb në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në zonën e Koshares.
Katana ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies së tij (11.04.1999).
Pas përfundimit të Luftës, Agim Ramadani u shpall Hero i Kosovës.
Me rastin e 59 vjetorit të lindjes së tij, sot duke filluar nga ora 16:00 në Shtëpinë e Kulturës në Zhegër të Gjilanit, bahet manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2022”.