image Sot 7 vite më parë, Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i Kosovës

Politikë

Sot 7 vite më parë, Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i Kosovës

news image

Para 7 vitesh, Hashim Thaçi atëherë kryetar i Partisë Demokratike, ishte zgjidhur president i Kosovës në rundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike, më 26 shkurt të vitit 2016.

Ai kishte fituar me 71 vota në rundin e tretë, pasi në dy raundet e para nuk ka arritur të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjidhja e tij është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, të cilat dy herë radhazi patën ndërprerë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.

Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës njëri pas tjetrit kanë diskutuar kundër zgjidhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafën, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Në debatet e tyre, ata kanë vënë theksin te marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Derisa ishin duke u zhvilluar rundet e votimeve, jashtë parlamentit, Policia kishte përdorur gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që kanë hedhur shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit. Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.

Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).

/GazetaSinjali/