image Sondazhet imagjinare ku secila parti i fiton zgjedhjet

Kosovë

Fushata/ Sondazhet imagjinare ku secila parti i fiton zgjedhjet

news image

Partitë politike dhe koalicionet që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, po prezantohen si fituese të këtyre zgjedhjeve ende pa filluar fushata.

“Sipas sondazheve jemi fitues” është fjalia që është përdorur më së shumti në këtë fushatë parazgjedhore nga pothuajse secila parti e koalicion, ndonëse natyrisht, pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të ketë vetëm një pari fituese apo koalicion fitues, shkruan Gazeta Sinjali.

Partitë dhe koalicionet nuk tregojnë emrat e kompanive që bëjnë sondazhet në të cilat thirren si fitues. Politikanët nuk tregojnë as numrin e respodentëve që janë përdorur në sondazh, e madje as rezultatin e përgjithshëm të tyre për secilin subjekt, gjë që shton dyshimin se këto sondazhe të përmendura janë fiktive dhe se me to po manipulohet opinioni publik.

Gazeta Sinjali ka provuar të marrë përgjigjje nga partitë për këto detaje në të cilat thirren si fitues, por asnjëra prej tyre nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës.

Partia Demokratike e Kosovës është parita që më së shpeshti është deklaruar si fituese e këtyre zgjedhjeve duke u thirur në sondazhe.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, më 10 maj kishte përmendur për herë të parë sondazhet. Kishte thënë se PDK-ja është “bindshëm e para” në to.

“Me sondazhe po qëndrojmë shumë mirë. Jemi bindshëm të parët edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Janë spekulime të gjitha të tjerat. Lidhja Demokratike e Kosovës janë partia e dytë, munden me u nervozu partitë e tjera, por jemi bindshëm të parët”, kishte thënë Veseli.

Bindjen e njëjtë sikur shefi i tyre e kanë edhe zyrtarët e lartë të PDK-së, Enver Hoxhaj, Xhavit Haliti e Bekim Haxhiu. Por këta të tre i kanë deklaruar këto bindje edhe pas dorëheqjes së Haradinajt dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.

Xhavit Haliti më 1 gusht kishte deklaruar se “siç më është interpretuar nga një grup i cili bën sondazhe për PDK-në dhe partitë tjera, ne po dalim të parët, afër neve është LDK-ja dhe të tjerët pastaj vijnë me radhë”.

Në të njëjtën ditë, në të njëjtën mënyrë ishte shprehur edhe Bekim Haxhiu.

Në fund të gushtit, edhe Enver Hoxhaj kishte thënë përafërsisht të njëjtën gjë për PDK-në. “Ne jemi partia më e madhe në vend sipas sondazheve tona, por dhe sipas organizimit politik”, ka deklaruar ai.

Sondazhet nuk i ka lëshuar nga goja as Lëvizja Vetëvendosje.

Anëtarja e Kryesisë së VV-së, Fitore Pacolli, më 20 gusht kishte deklaruar se “edhe LDK-ja e di që Vetëvendosje po prinë në sondazhe”. Njësoj kishte deklaruar edhe Xhelal Sveçla më 27 gusht.

Po më 27 gusht, bashkëpartiaku i tyre, nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi, kishte kërkuar një sondazh të vetëm aktual në Kosovë që e nxjerr LDK-në të parën apo një që nuk e nxjerr VV-në fituese të zgjedhjeve.

Fitues janë vetëshpallur edhe koalicioni AAK-PSD.

“Ka sondazhe të kompanive serioze, të cilat AAK-në e vënë të parën dhe Haradinajn liderin më të besueshëm”, kishte thënë në mes të gushtit anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Burim Ramadani.

AAK-ja nuk ishte mjaftuar me kaq. Më 10 shtator, ata kishin lëshuar një komunikatë, duke theksuar se koalicioni AAK-PSD do t’i fitojë zgjedhjet sipas sondazheve.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njofton mbështetësit, anëtarët dhe opinionin se, sipas sondazhit të fundit, të realizuar nga një kompani kredibile ndërkombëtare, koalicioni AAK-PSD tashmë renditet i pari, me 24.3% mbështetje nga qytetarët. AAK është përpara subjektit të dytë me një diferencë prej 1.2%”, thuhej në komunikatën e AAK-së.

Sa për ta konfirmuar se si partnerë të koalicionit edhe PSD-ja mendon njësoj, kandidati për deputet nga ky koalicion, Dardan Molliqaj kishte thënë se “Në bazë të të hulumtimeve në terren jemi të parët dhe kemi konkurrent Lidhjen Demokratike të Kosovës”.

Por kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, më 26 gusht kishte deklaruar se është kandidatja më e pëlqyer në bazë të sondazheve.

“Në sondazhet e katër viteve të fundit, kam dalë para të gjithë liderëve të partive. Këto sondazhe i kanë marrë krerët e partive. Kjo besoj se do të rikonfirmohet”, kishte thënë Osmani.

Më 19 shtator, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu kishte përmendur sondazhet si shkak për mosfutjen e LDK-së në një koalicion parazgjedhor me VV-në.

“Ne i kemi shqyrtu koalicionet tona, e kemi pa që në sondazhe jemi partia e parë dhe nuk kemi pasë frikë me hy vetëm. Neve nuk na ka taku me lëshu pe sepse jemi partia e parë në të gjitha sondazhet”, ka thënë Veliu.

Edhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, beson se do të dalë fitimtar pas këtyre zgjedhjeve.

Së fundmi, më 18 shtator, Limaj ka thënë se “Nisma dhe partnerët e saj do të shënojnë fitore madhështore në zgjedhjet e 6 tetorit”.

Në fund të fundit, është vetëm një sondazh i cili është bërë publik.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) më 13 shtator ka publikuar një sondazh, sipas të cilit LDK-ja del parita e parë me 23.8%. Në vendin e dytë është radhitur PDK-ja me 18.4% të votave ndërsa VV-ja rendintet në vend të tretë me 17.6%. /Gazeta Sinjali/