Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se serbët e Kosovës po përballen me trysni dhe kërcënime të papara për t’u orientuar politikisht drejt Listës Serbe, duke e cilësuar situatën si një nga më të rëndat në vitet e fundit.
Kurti i bëri këto komente pas arrestimit të shtatë personave në Graçanicë të martën, të dyshuar për kërcënim të votuesve.
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, kryeministri në detyrë ka thënë se shantazhi nga Beogradi për votuesit serbë në Kosovë është shndërruar në fenomen.
“Fjalët e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në mbledhjen e fundit të qeverisë mbi trysninë e tmerrshme që po bëhet nga Beogradi për serbët e Kosovës për ta votuar Listën Serbe, duke përcjellë edhe rrjetet sociale të secilës figurë publike, secilit politikan serb që ka garuar qoftë një herë, me të vërtetë janë alarmuese. Këtë lloj terrori që po e bën Beogradi e kemi të dëshmuar nga ankesat e serbëve të Kosovës. Është fenomen që ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella si asnjëherë më parë në këto vite sa jam kryeministër”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, këto veprime përfshijnë kërcënime, shantazhe dhe kushtëzime financiare ndaj qytetarëve serbë në Kosovë, me qëllim orientimin e tyre politik.
“Kurrë nuk ka pasur kaq shumë trysni nga Beogradi, kërcënime, shantazhe, shkëputje të mjeteve të ndryshme financiare ose çfarëdo mbështetje që kanë marrë nga Serbia ndonjëherë me kushtëzimin që të rreshtohen thu se bëhet fjalë për ushtri në kohë lufte në radhët e Listës Serbe”, ka deklaruar Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!