Sokol Halili pas gati dy ditësh të plota në arrati si i dyshuar për vrasjen makabre ndaj ish bashkëshortes së tij, Hamide Magashi, e cila ishte shtatzënë në javën e 41-të, sot ka kryer vetëvrasje, raporton Gazeta Sinjali.
Në momentin që organet e rendit kanë rrethuar shtëpinë e dorasit në fshatin Godanc të Shtimes, i njëjti ka kryer vetëvrasje duke refuzuar të bie në duart e Policisë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka bërë me dije se 31-vjeçari ka ndërruar jetë rrugës për në Emergjencë.
“Rrugës për në Emergjencë ka vdekur. Atje e ka konstatuar vdekjen mjeku kujdestar. Pra ka pasur shenja jete kur e ka qëlluar veten në shtëpinë e tij”, tha Jashari për Sinjali.
Lajmin për vetëvrasjen e 31-vjeçarit e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i cili ka thënë se përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi ka vrarë veten.
Ndërkohë sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga vendi ku dyshohet se Sokoli ka kryer vetëvrasje.