KRU “Prishtina” ka paralajmëruar konsumatorët që të kenë kujdes të shtuar ndaj mesazheve të dyshuara mashtruese që po qarkullojnë së fundmi nga një numër i panjohur telefonik.
Përmes një njoftimi publik, kompania ka bërë të ditur se mesazhet e dërguara nga numri +639605610623 nuk janë komunikime zyrtare të KRU “Prishtina” dhe nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin apo shërbimet e saj.
Sipas njoftimit, qytetarët që pranojnë mesazhe nga ky numër duhet t’i injorojnë ato dhe të mos ndërmarrin asnjë veprim bazuar në përmbajtjen e tyre.
KRU “Prishtina” ka theksuar se ekzistojnë dyshime të forta se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi, me qëllim të marrjes së të dhënave personale apo informacioneve të ndjeshme të qytetarëve.
Për këtë arsye, kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që të mos ndajnë të dhëna personale, informata bankare, fjalëkalime apo çfarëdo informacioni tjetër konfidencial përmes mesazheve të tilla.
“Ky numër nuk i përket KRU ‘Prishtina’ dhe mesazhet e dërguara prej tij nuk janë komunikime zyrtare të kompanisë sonë. Dyshohet se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Në fund, KRU “Prishtina” ka rikujtuar se të gjitha informacionet zyrtare për konsumatorët publikohen vetëm përmes kanaleve të saj zyrtare të komunikimit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të verifikojnë çdo njoftim para se të përgjigjen ose të japin të dhëna personale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!