image Sllovakia miraton traktatin për dhënien e dy bazave ajrore SHBA-së

Botë

Sllovakia miraton traktatin për dhënien e dy bazave ajrore SHBA-së

news image

Parlamenti i Sllovakisë të mërkurën ka miratuar një traktat për mbrojtje ushtarake me Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja për Bashkëpunim të Mbrojtjes kaloi me 79 vota për dhe 60 kundër.

Ky traktat do t’i lejojë ushtrisë amerikane që të përdorë dy baza ajrore – bazën Malacky-Kuchyna dhe Sliac – për dhjetë vjet në Sllovaki, shtet anëtar të NATO-s. Si shpërblim Sllovakia do të marrë 100 milionë dollarë nga SHBA-ja, me qëllim të modernizimit të bazave, raporton REL.

Marrëveshja u nënshkrua nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Mbrojtjes së Sllovakisë, Jaroslav Nad, më 3 shkurt në Uashington. Kjo marrëveshje duhet të ratifikohet edhe nga presidentja Zuzana Caputova, e cila e mbështet traktatin.

Votimi për këtë traktat ndodh në kohën e rritjes së frikës se Rusia po planifikon ta pushtojë Ukrainën. Moska ka vendosur mbi 100,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës, por insiston se nuk po planifikon ndonjë sulm. Sllovakia gjendet në kufi me Ukrainën.

Traktati është mbështetur nga Qeveria e kryeministrit Eduard Heger, i cili ka thënë se do ta “rrisë sigurinë tonë në mënyrë të konsiderueshme”. Por, marrëveshja është kundërshtuar fuqishëm nga opozita, që ka argumentuar se ajo komprometon sovranitetin e shtetit, duke bërë që prezenca e trupave ushtarake në territorin sllovak të jetë e përhershme. Po ashtu, opozita ka thënë se traktati mund të mundësojë edhe dislokimin e armëve bërthamore në Sllovaki.

/Gazeta Sinjali/