Komuna e Skënderajt në bashkëpunim me bizneset e kësaj komune ka ndarë 5 mijë euro për familjen Abazi nga Livoçi i Gjilanit, e cila ka humbur dy djemtë gjatë tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri.
Kreu i kësaj komune, Bekim Jashari, tha se aksioni për mbledhjen e mjeteve financiare po vazhdon dhe se kjo komunë do të ndajë mjete tjera për këtë familje.
“Ne ishim sot për ngushëllime në familjen Abazi këtu në Livoç të Gjilanit. Dhimbja është e pakrahasueshme edhe për këtë familjen këtu edhe për vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri atje. Neve si komunë kemi marrë një aksion së bashku me të gjitha bizneset e komunës sonë dhe kemi nda një shumë simbolike edhe për familjen Abazi në vlerë prej 5 mijë euro. Po shpresoj, sepse aksioni është duke vazhduar në komunën tonë dhe pasi që të përmbyllet si aksion në tërësi po shpresoj që do të ndajmë edhe një shumë tjetër për këtë familje”, tha Jashari.
Shemsedin dhe Isa Abazi vdiçën si pasojë e tërmetit që ka goditur Shqipërinë të martën e kësaj jave, derisa të dytë kishin punuar si mekanikë në Durrës.
Tërmeti që ndodhi në Shqipëri ka lënë të vdekur 51 persona, ndërsa qindra të tjerë janë lënduar./Gazeta Sinjali/