image Skender Hyseni: Dialogu nuk do të rinisë, siç po thotë Kurti – do të vazhdojë aty ku ka mbetur

Politikë

Skender Hyseni: Dialogu nuk do të rinisë, siç po thotë Kurti – do të vazhdojë aty ku ka mbetur

news image

Ish- Koordinatori Nacional për Dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, ka thënë që dialogu Kosovë-Serbi nuk do të rinisë më 15 qershor në Bruksel, ashtu siç ka deklaruar kryeministri, Albin Kurti.

Sipas tij, as Kurti dhe as Vuçiq nuk janë personat që pyeten për formatin e dialogut.

“Deklarata e kryeministrit Kurti se gjithçka do të nisë nga e para nuk qëndron, sepse nuk është as Kurti dhe as Vuçiq ata që mund ta imponojnë formatin e dialogut të rinisur në korrik të vitit të kaluar.”

Përtej asaj që e thotë njëri apo tjetri, 15 qershori shënon vazhdimin e dialogut të rinisur më 21 shkurt të vitit të kaluar, pasi është një format i cili është dakorduar dhe është harmonizuar ngushtë edhe në rrafshin e asaj që quhet marrëdhënie transatlantike”.

Hyseni i ka quajtur të parëndësishme ato çfarë thotë Kurti lidhur me këtë çështje, derisa ka theksuar se dialogu do të vazhdojë aty ku ka mbetur.

“Unë kam dëgjuar këto ditë edhe terminologji të teknologjisë bashkëkohore, që do të ketë një ‘reseting’ ose ‘resetim’ të dialogut. Këto janë më shumë deklarata për konsum të brendshëm, se sa që do të ndodhë realisht dhe nuk duhet të ndodhë ndryshe përpos që dialogu të vazhdojë aty ku ka mbetur, mbi bazën e atyre parimeve themelore që më kanë shërbyer mua gjatë dialogut të rifilluar në korrik të vitit të kaluar.”

“Unë në shaka e kam quajtur Bibla dhe Kurani im, jashtë të cilit nuk do të dal. Ka rëndësi të respektojmë parimet dhe nuk ka asnjë peshë nëse dikush e quan rifillim i dialogut, vazhdim ose dialog i ri”, tha ai në KlanKosova.

Ish-koordinatori për dialog tha se “dialogu i ri” bart me vete “rreziqe të caktuara për vendin”.

Sipas tij, Serbisë nuk i bëhet vonë për dialog. Madje, ai thotë se është në favor të saj që të ketë zvarritje në këtë proces.

“Është interes jetik i Serbisë zvarritja e mëtejme dhe ruajtja e status quos në Kosovë. Gjithnjë në pritje të një mrekullie ose një konteksti ndryshe në marrëdhëniet globale ndërkombëtare, i cili do të ishte i favorshëm për pretendimet e Serbisë për ta rikthyer Kosovën.”

“Serbisë nuk i ngutet në këtë dialog dhe është e paqëndrueshme edhe premisa që po flitet se Serbia gjoja ka interes të mbyllë këtë temë, sepse i duhet anëtarësimi në BE”.

“Nuk lodhet Serbia për atë punë, për aq kohë sa mund ta zvarrisë përmbylljen e asaj që unë e quaj kontest politik dhe histori mes Kosovës dhe Serbisë e, që është përplasje historike dhe politike edhe mes shqiptarëve dhe serbëve”./Gazeta Sinjali/