image “S’kemi kurrfarë bllokade”/ Pse Policia e Sveçla s’njoftuan për bllokim, por vetëm për lirim të policëve në Veri

Siguri

“S’kemi kurrfarë bllokade”/ Pse Policia e Sveçla s’njoftuan për bllokim, por vetëm për lirim të policëve në Veri

news image

Gazeta Sinjali mbrëmë raportoi se tre pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren dhe një i Njësitit të Policisë Kufitare në Veri, kanë mbetur të bllokuar për katër ditë në afërsi të fshatit Joshanicë. Kamionët e rëndë dhe mjetet e tjera pos që po vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët në fshatin Rudarë të Zveçanit, kishin lënë të bllokuar edhe katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Katër zyrtarët policor tashmë janë liruar nga ajo pjesë ku kanë qëndruar të bllokuar për katër ditë me radhë.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Njësiti policor në përbërje prej katër zyrtarëve policor të cilët ishin me detyrë zyrtare në atë zonë, të njëjtit veçse kanë lëvizur mbrëmë për në stacionin policor Leposaviq, ku edhe qëndrojnë”, ka thënë Kelani.

Policia e Kosovës në vazhdimësi kishte raportuar për situatën në Veri, mirëpo nuk kishin njoftuar për bllokadë të zyrtarëve policorë.

As ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla kur është pyetur rreth lajmit se katër policë janë bllokuar në Veri nuk e kishte pranuar një gjë të tillë. Madje, ai e kishte mohuar.

“Nuk kemi kurrfarë bllokade të pjesëtareve të Policisë së Kosovës në veri. nuk ka asnjë rrezik të pa menaxhueshëm për Policinë e Kosovës”, kishte thënë ministri Sveçla

Ndryshe, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, grupe të serbëve lokalë në veri të vendit kanë ngritur disa herë barrikada për të kundërshtuar aksione policore dhe vendime të Qeverisë së Kosovës.

Kësaj radhe tensioneve në veri të Kosovës u parapriu vendimi i Qeverisë për shqiptimin e gjobave për shoferët që lëvizin me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Duke kundërshtuar këtë vendim që nisi të zbatohej më 1 nëntor, serbët e veriut vendosën që të bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës, duke dhënë dorëheqje si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.

Kosova dhe Serbia, ndërkohë, arritën marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina pezulloi planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi u zotua se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.

Ndërkohë për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të katër Komunave veriore të banuara me shumicë serbe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shpalli 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por këto zgjedhje u shtynë për 23 prill të vitit 2023 për shkak të tensioneve të krijuara ditët e fundit në veri, ku u shkaktuan disa incidente e ndër të tjera mbeti i plagosur edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

/GazetaSinjali/