Prokuroria Themelore në Pejë në aktvendimin për fillimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të arrestuar në komunën e Pejës, si të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, lidhur me ndërtimet pa leje, ka bërë huqje skandaloze gjatë referimit të ligjit e datave kur dyshohet se është kryer vepra penale nga njëri prej të akuzuarve, shkruan Gazeta Sinjali.
Huqja e parë e prokurores Lumturije Vuçetaj, që udhëhoqi aksionin policor të 15 korrikut, është te datat gjatë të cilave, sipas Prokurorisë, i dyshuari Bajram Muzliaj, inspektor i ndërtimeve në Komunën e Pejës, ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Huqja e datës së parë
Sipas aktvendimit të Prokurorisë, Muzliaj dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare mes datave 15 tetor 2020 e deri më 03 shtator 2021, muaj ky që ende nuk ka ardhur.
Pra, sipas Prokurorisë, Muzlijaj dyshohet se ka keqërdorur pozitën zyrtare edhe për 56 ditët e ardhshme.
Huqja e dytë
Por, kjo nuk është data e vetme që ka huqur kjo Prokurori. Kjo pasi që në këtë aktvendim thuhet se Muzlijaj më datë 15 tetor 2021, muaj ky që ende nuk ka ardhur, ka marrë pjesë sipas tyre në një projekti ideor për ndërtimin e një objekti.
Në aktvendim të Prokurorisë, thuhet se Muzlijaj dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare për 87 ditët e ardhshme.
Mirëpo, huqja e Prokurorisë në trajtimin e këtij rasti nuk kufizohet këtu, kjo sepse Prokuroria i referohet nenit 52 të Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Ky ligj është shfuqizuar pjesërisht në vitin 2019 nga Ligji për zyrtarët publikë.
Se ky ligj është shfuqizuar mund të dokumentohet me një kërkim të thjeshtë në Google.
Një huqje e tillë nga ana e Prokurorisë shpërfaqë nivelin skandaloz të kësaj Prokurorie në kujdesin e tyre në fillimin e hetimeve. /Gazeta Sinjali/