image Skandaloze: Prokurori tërhiqet nga ndjekja penale e Kristë Gjokajt për keqtrajtimin e të prangosurit në stacion

Drejtësi

Skandaloze: Prokurori tërhiqet nga ndjekja penale e Kristë Gjokajt për keqtrajtimin e të prangosurit në stacion

news image

Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Themelore në Gjilan ka marrë një vendim skandaloz në rastin ku ka qenë i përfshirë ish-komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe disa zyrtarë policorë të tjerë, të dyshuar për rrahjen brutale të një qytetari të prangosur brenda stacionit. Sinjali mëson ekskluzivisht se Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj Kristë Gjokajt, dhe ish-policit, Gëzim Biblekaj.

Ky vendim është bërë i ditur në seancën e mbajtur gjatë ditës së sotme, ku Prokurori i Shtetit ka deklaruar se Gjokaj dhe Biblekaj nuk do të ndiqen për këtë rast. Në fjalën përfundimtare të Prokurorit të Shtetit thuhet se bazuar n deklaratën e viktimës të dhënë në prill të vitit të kaluar, ku kërkon që të njëjtit të mos dënohen, pasi sipas tij, Gjokaj dhe Biblekaj nuk e kanë sulmuar fizikisht, Prokurori heq dorë nga ndjekja penale.

Gjatë kësaj seance është revokuar aktvendimi i Gjykatës, i datës 21 prill, për rimarrjen në pyetje të të dëmtuarit, për shkak se thuhet se Gjykata i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme juridike ligjore për të siguruar prezencën e tij, por deri më sot, urdhëresat nuk kanë mundur të zbatohen pasi viktima gjendet në Gjermani.

M.R., i cili ishte torturuar brenda stacionit policor në vitin 2018, rast ky që u bë publik dhe bëri bujë pas raportimit të Sinjalit dhe publikimit të pamjeve të tmerrshme të trajtimit çnjerëzor dhe dhunës së shfrenuar nga zyrtarët policorë me në krye komandantin e atëhershëm, Kristë Gjokaj.

Viktima e këtij rasti e kishte ndërruar deklaratën ndaj të akuzuarve, gjë për të cilën Prokuroria Themelore në Gjilan kishte refuzuar të përgjigjej në pyetjet e Sinjalit, se cilat kanë do të jenë veprimet e PTH-së për mbrojtjen e aktakuzës meqenëse i dëmtuari e kishte ndryshuar deklaratën në fjalën përfundimtare, pasi rasti është kthyer në rigjykim.

Një vit pas, përveç që nuk kanë nisur hetimet ndaj të dëmtuarit për deklarim të rrejshëm, ashtu siç është vepruar në rastet e kaluara, Prokurori i Shtetit ka vendosur që të mos ndiqen penalisht dy të akuzuarit Gjokaj dhe Biblekaj.

“Sa I përket rastit, për Kristë Gjokaj dhe të akuzuarve te tjerë, ju informojmë se lënda është ne shqyrtim gjyqësor pranë Gjykatës Themelore ne Gjilan dhe ende nuk ka përfunduar, ndërsa sa i përket çështjes se a do të nis Prokuroria hetimet për deklarim të rrejshëm ndaj të dëmtuarit ne fjalë , ju informojmë se prokurori i çështjes do të veproj komfor autorizimeve ligjore  të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale  dhe Ligjit mbi Prokurorinë e Shtetit.”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë më 27 prill 2022.

Gjokaj, Biblekaj bashkë me Bekim Prenqin, Agron Idrizin, Milot Ukaj akuzoheshin se në muajin nëntor të vitit 2018, në stacionin policor në Gjakovë, në bashkëkryerje kanë keqtrajtuar fizikisht të dëmtuarin, përderisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur. Në këtë rast akuzohej edhe Shaban Limanaj, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi që duke qenë në pozitën e përgjegjësit për qendrën e ndalimit në Gjakovë, i ka mundësuar të akuzuarve të lartëpërmendur që të futen në qelinë e të dëmtuarit M.R.

Në seancën e rigjykimit, Gjokaj, Preqi, Biblekaj dhe Idrizi u patën deklaruar të pafajshëm, ndërsa i akuzuari Milot Ukaj e kishte pranuar fajësinë në mënyrë të pjesshme, por që ky pranim ishte refuzuar nga trupi gjykues me arsyetimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, më 29 korrik 2021, ka shpallur fajtor ish-komandantin Gjokaj dhe të tjerët.

Gjykata të akuzuarit Kristë Gjokaj i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 120 ditë, por me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim i zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 2.000 Euro. Të akuzuarit Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi janë dënuar me nga 90 ditë burgim, ndërsa me pëlqimin e të akuzuarve, gjykata ka zëvendësuar dënimin me burgim në dënim me gjobë në shumën prej 1.000 Euro. I akuzuari Milot Ukaj, është dënuar me 150 ditë burgim, i cili dënim është zëvendësuar në denim me gjobë në shumën prej 1.500 Euro, ndërsa të akuzuarit Shaban Limanaj është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 90 ditë, i cili dënim është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumën prej 700 Euro. Ndërkaq i akuzuari Bekim Preqi në mungesë të provave është liruar nga akuza.

Megjithatë, ky vendim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit, e cila në vendimin e saj thekson se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara nga neni nga neni 370 par. 7 të KPPK-së lidhur me nenin 384 par.1 nën par. 12 të KPK-së, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, si dhe shkelje të ligjit penal që domosdoshmërisht ndikojnë në anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e çështjes në rivendosje.

Sipas aktakuzës, Gjokaj, më 14 nëntor 2018, në objektin e stacionit policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin i cili kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur si i dyshuar për dy vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte ulur në karrige, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, derisa nga aty të pandehurin e largon një zyrtar policor.

Ndërsa për katër të akuzuarit e tjerë theksohet se kanë keqtrajtuar të dëmtuarin, ashtu që me qëllim që të nxjerrin informacione, për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, për të cilat i dëmtuari ka qenë i dyshuar, e sulmojnë fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

/GazetaSinjali/