Objekt i hetimit të Policisë Belge tashmë janë vënë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian. Në mesin e tyre edhe ish-shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila ka dhënë dorëheqje nga një OJQ të shtunën. Ajo për shumë vjet ishte ndërmjetëse në dialogun Kosovë – Serbi dhe është emri që bie më së shumti në sy në raportimet për skandalin që e ka tronditur Evropën.
Mogherini dha dorëheqje nga bordi “Fight Impunity”, një organizate joqeveritare me njerëz të njohur në përbërje, pasi disa zyrtarë evropianë, përfshirë eurodeputetë dhe vetë nënpresidenten e Parlamentit Europian, Eva Kaili, u akuzuan se kanë pranuar shuma të mëdha parash nga një vend i Gjirit që raportohet se është nikoqir i Kupës së Botës, Katari.
Përveç Mogherinit, dorëheqje nga bordi “Fight Impunity” dha edhe ish-kryeministri francez, Bernard Cazeneuve, ish-komisioneri evropian për Migracionin, Dimitris Avramopoulos, ish-eurodeputetja Cecilia Wikstrom dhe eurodeputetja isabel Santos. Ata u larguan pasi akuzat u drejtuan edhe kah themeluesi i këtij bordi, ish-eurodeputeti italian, Pier Antonio Panzeri.
Njerëzit përreth Mogherinit mohojnë se ajo ka ndonjë përfshirje në skandal, ndërsa konfirmuan se ajo u largua nga kjo OJQ të shtunën.