image Skandali i arrestimit të tre mjekëve në Prizren, Prokuroria tërhiqet nga kërkesa për paraburgim

Drejtësi

Skandali i arrestimit të tre mjekëve në Prizren, Prokuroria tërhiqet nga kërkesa për paraburgim

news image

Prokuroria Themelore në Prizren është tërhequr, pasi ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre mjekëve të Spitalit Rajonal në Prizren, Gazmend Sylejmani, Sami Reshitaj dhe Fisnik Sinani, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se tashmë Prokuroria po kërkon që Sylejmanit dhe Sinanit t’u caktohet masa e arrestit shtëpiak, ndërsa ndaj Reshitajt është kërkuar masa e paraqitjes në stacion policor.  

Kujtojmë se tre mjekët janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’ ndaj një pacienteje e cila kishte shkuar në repartin e Gjinekologjisë për të kryer lindjen.

E gjithë kjo ka ngjallur reagime të shumta.

Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës ka reaguar për arrestimin e tyre, duke u dërguar letër publike ministres së Drejtësisë, atij të Shëndetësisë, të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pastaj Besim Kelmendit, UD Kryeprokuror i Shtetit, si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Ata thonë se lajmi për arrestimin e tyre nën akuzat për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor” “ka tronditur komunitetin mjekësor dhe ka ngjallur zemërim tek individë të shumtë që besojnë në përkushtimin dhe profesionalizmin e mjekëve”. Po ashtu kanë kërkuar që të kryhet një hetim i drejtë dhe i paanshëm për të shqyrtuar plotësisht akuzat.

Ndërkohë avokati, Besnik Berisha, e ka quajtur abuzim skandaloz dhe krim institucional arrestimin e tre mjekëve. Berisha thotë se prokurori që ka urdhëruar ndalimin e tre mjekëve, pa pasur ekspertizë mjeko-ligjore, ka abuzuar me detyrën e tij. Madje, ai thotë se prokurori i këtij rasti duhet të merret në përgjegjësi për urdhrin që ka dhënë.

/GazetaSinjali/