Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Ministria e Jashtme që ambasadorit Martin Berishaj t’i kërkohet një raport me shkrim lidhur me raportimin në mediat sllovene që e implikon atë në një skandal financiar.
Tutje në njoftim presidenca e Kosovës thotë se sapo të sqarohet situata Presidentja dhe MPJ do ta bëjnë vlerësimin sa i përket pozicionit të ambasadorit.
“Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, thuhet në njoftim.
Presidenca po ashtu thotë se institucionet e Kosovës asnjëherë s’kanë marrë informatë nga institucionet e Sllovenisë për involvimin e ambasadorit Berishaj në ndonjë vepër penale.
“Është me rëndësi të theksohet se institucionet e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk kanë marrë asnjë informatë nga institucionet e Sllovenisë apo të ndonjë shteti tjetër për involvimin e z. Berishaj në ndonjë vepër penale. Në fakt, z. Berishaj ka dorëzuar dokumentacion nga institucionet e Sllovenisë se nuk ka evidencë penale”, thuhet në njoftim.