image Situatë e qetë në veri të vendit, “masat e qortimit” nisin më 1 nëntor

Politikë

Situatë e qetë në veri të vendit, “masat e qortimit” nisin më 1 nëntor

news image

Dy ditë para se të nis zbatimi i “masave qortuese”, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, situata në veriun e Mitrovicë është e qetë. Qytetarët serb në përgjithësi po e kundërshtojnë ndërrimin e targave nga ato KM në RKS, derisa autoritetet e Kosovës janë të vendosura për të filluar zbatimin e vendimeve. 

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë rajonale në veriun e vendit, ka thënë të dielën se situata përgjithësisht është stabile.

Ndërkaq udhëheqësja e Qendrës për regjistrimin e automjeteve në Mitrovicë të Veriut, Ardita Ademi ka thënë se të hënën do të marrin informacionet e sakta për mënyrën se si do të veprohet nga 1 nëntor kur hyn në fuqi zbatimi i masës qortuese. Në këtë qendër nuk e dinë se çka nënkupton “masa ndëshkimore”.

Qeveria e Kosovës ka shkallëzuar vendimin për targat. Duke  filluar nga 1 nëntor, deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.

Ndryshe, mbrëmë Bashkimi Evropian nëpërmjet një komunikate për medie, shprehu zhgënjimin pasi Qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat e bllokut dhe të Shteteve të Bashkuara për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, për 10 muaj.

Në reagimin e BE-së thuhet se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra “por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”.

Pavarësisht kritikave që kanë ardhur dje dhe sot nga politikanë vendorë e ndërkombëtarë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka konsideruar të ligjshëm vendimin për targat ilegale në veri.

Ai thotë se vendimi është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e Brukselit dhe në harmoni me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare për rend e ligj.

“Qeveria miratoi zbatimin gradual të politikës për targat ilegale të shpallura në qershor, për të cilën partnerët tanë ndërkombëtarë konfirmojnë se është plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Vendimi i zbatimit garanton sundimin e ligjit nga njëra anë, dhe paqen dhe sigurinë nga ana tjetër”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, edhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve ndërkombëtarë, kanë kërkuar që të zgjatet periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave për 10 muaj, raporton RTK.

/GazetaSinjali/