Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se veprimet e dhunshme në veri janë të orkestruara nga Serbia dhe shumë serbë po vazhdojnë të keqpërdoren nga ajo, raporton Gazeta Sinjali.
Hoti ka thënë se dhuna nuk duhet toleruar, as në veri e askund tjetër dhe institucionet e sigurisë duhet të përgjigjen me kujdes dhe vendosmëri.
Postimi i tij i plotë:
Veprimet e dhunshme në veri janë të orkestruara nga Serbia. Fatkeqësisht, shumë qytetarë të Kosovës të komunitetit serb vazhdojnë të keqpërdoren nga Serbia për të krijuar tensione në atë pjesë të Kosovës kurdo që i nevojitet Serbisë. Jam i sigurt se ata qytetarët nuk dëshirojnë të jetojnë e t’i rrisin fëmijët në një ambient ku tensionet mund të ngritën kurdo sipas direktivave politike.
Dhuna nuk duhet toleruar, as në veri dhe askund tjetër. Por, institucionet e sigurisë të Kosovës duhet të përgjigjen me kujdes dhe vendosmëri ndaj veprimeve të dhunshme, gjithmonë në koordinim me aleatët që janë të përfshirë në çështjet e sigurisë në Kosovës.
Me veprime të koordinuara duhet të parandalohet tensionimi i gjendjes në atë pjesë të vendit, sepse nuk i konvenon shtetit të Kosovës dhe as komunitetit serb në ato komuna. Një gjendje e tensionuar atje i konvenon vetëm Serbisë.