Duke mos pasur një administratë të aftë, duke pasur nivele të larta evazioni ose korrupsioni, qeveritë shqiptare kanë zgjedhur mënyrën më të thjeshtë për të mbushur buxhetin e tyre, për të tatuar konsumin, me pak fjalë për të tatuar të varfrit.
Kështu u shpreh ekonomisti shqiptar, Endrit Yzeiraj në Euronews Albania, ndërsa tregoi pse sistemi tatimor është regresiv dhe jo progresiv.
“Rreth gjysma e buxhetit të Shqipërisë vjen nga TVSH-ja dhe akcizat, tatimi i pothuajse çdo konsumi që bëhet. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, ku përfshihet rroga, zënë vetëm 14% të buxhetit. Tatimeve mbi konsumin janë regresive pasi rëndojnë më shumë mbi shtresën e varfër të shoqërisë. Ndërsa tatimet mbi të ardhurat personale janë progresive pasi bëjnë që shtresa e pasur të paguajë më shumë. Shtresat e varfra harxhojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre mbi konsum”, tha Yzeiraj dhe duke qenë se konsumi tatohet më shumë, këto shtresa rëndohen më shumë.
Ai tha se Shqipëria nuk ka një sistem tatimor progresiv siç diskutohet.
“Ne kemi një sistem tatimor kryesisht regresiv, buxheti ynë rëndon kryesisht mbi shtresat e varfra të shoqërisë sesa mbi shtresat e pasura”, deklaroi Yzeiraj. /GazetaSinjali/