Si shkak i problemeve në tregjet financiare ndërkombëtare, sektori pensional i Kosovës shënoi performancë jo të mirë financiare, duke shënuar kthim negativ në investime. Derisa ky sektor në përgjithësi ka shënuar rritje, raporton Gazeta Sinjali.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, tha se sektori pensional gjatë këtij viti u karakterizua me rritje, krahasuar me vitin paraprak.
Më tej ai theksoi se vlera e përgjithshme e aseteve të sektorit pensional në shtator 2022 arriti në 2.3 miliardë euro krahasuar me 2.2 miliardë sa ishin në shtator 2021, që përkon me një rritje vjetore prej 4.2 përqind.
“Sektori pensional deri në shtator 2022 për shkak të kushteve jo të favorshme në tregjet financiare ndërkombëtare, shënoi performancë jo të mirë financiare, duke shënuar kthim negativ në investime në vlerë prej rreth 170 milionë euro”, tha Mehmeti.
Guvernatori i BQK-së më tej theksoi se kontributet e reja pensionale gjatë kësaj periudhe shënuan vlerën prej rreth 177.5 milionë euro.