image Ndalimi i dinarit, Kurti shpreh gatishmërinë për adresimin e shqetësimit të ndërkombëtarëve

Politikë

Ndalimi i dinarit, Kurti shpreh gatishmërinë për adresimin e shqetësimit të ndërkombëtarëve

news image

Sot gjatë ditës ambasadorët, të ngarkuarit dhe shefat e misioneve diplomatike të vendeve të huaja që qëndrojnë në Kosovë ishin në zyrë te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit, ambasadorët ishin atje me ftesë të Kurtit, teksa njoftohet dhe se shefi i Qeverisë së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati ua kanë sqaruar punën e rregullores që, ndër tjerash, synon ta largojë nga përdorimi dinarin serb në Kosovë.

Kjo, siç njoftoi edhe ZKM, ishte çështja kryesore që u diskutua. Sipas njoftimit, Kurti ka shprehur gatishmërinë për ta adresuar shpejt çdo shqetësim të ndërkombëtarëve në lidhje me këtë çështje.

“Ata sqaruan që rregullorja nuk ka cak ndalimin e dinarit apo të ndonjë valute tjetër, por synim ka rregullimin bankar dhe financiar në Kosovë. Rrjedhimisht rritjen e integritetit financiar të vendit dhe kufizimin e financimit të aktiviteteve ilegale, pastrimin e parasë, qarkullimin e parave të falsifikuara dhe formalizimin e ekonomisë”, njoftoi ZKM.

“Nga ana e Qeverisë u theksua se asnjë biznes lokal në pronësi të qytetarëve serbë në Kosovë ose në komunat me shumicë serbe nuk është dënuar apo gjobitur prej hyrjes në fuqi të rregullores dhe se ky nuk është qëllimi i institucioneve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Zyra e Kurtit njofton se kryeministri u ka thënë ambasadorëve se “as situata në terren e as përmbajtja e rregullores nuk është ashtu si portretizohet nga Serbia”.

“Rreth 40 mijë qytetarё serbё në Kosovë kanë llogari bankare në njërën nga bankat e licencuara në Kosovë. Përmes tyre ata pranojnë pensione, mbështetje sociale, paga mujore, shtesa për fëmijë e lehona, e shtesa tё tjera të njëhershme nga thesari i shtetit të Kosovës. Rregullorja mundëson pranimin e fondeve, pagave dhe pensioneve nga jashtë si formë e transfereve në këto llogari bankare, dhe sipas saj dinari mund të shërbejë si mjet për kursim fizik, në llogari kursimi në bankë dhe këmbehet në këmbimore të licencuara. Pra nuk pengon qasjen në financa, në të njëjtën kohë që qasja fizike ofrohet përmes bankave dhe institucioneve financiare jo-bankare gjithandej vendit – vetëm në katër komunat në veri të vendit janë gjithsej 15 institucioneve financiare jo-bankare dhe katër degë të bankave komerciale”, njofton ZKM-ja.

Megjithëkëtë, ZKM njofton se “kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve vartëse që të adresojnë në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim të ngritur në mënyrë të shpejtë teksa theksoi që gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, fokusi do të jetë informimi i bizneseve të cilat operojnë në dinar dhe në mënyrë të paformalizuar”.

“Ai gjithashtu i njoftoi se nga Banka Qendrore e Kosovës ka marrë konfirmimin se është e gatshme të angazhohet në diskutim profesional e operacional me Bankën Popullore të Serbisë per të asistuar në identifikim e mekanizmave ligjorë, tё sigurt dhe transparent tё transferimit tё çfarëdo formë të mbёshtetjes nga Republika e Serbisё”, thuhet në njoftim.

/GazetaSinjali/