image Sipas Isa Mustafës, me Vjosa Osmanin Kosova nuk mund ta arrijë ndonjë njohje

Politikë

Sipas Isa Mustafës, me Vjosa Osmanin Kosova nuk mund ta arrijë ndonjë njohje

news image

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj që mbajti ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, ndër të tjerash e ka cilësuar si anti-Kushtetues moratoriumin një-vjeçar të dalur nga Marrëveshja e Washingtonit, gjë që kufizonte aplikimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Edhe pas kalimit të afatit të këtij moratoriumi, Kosova nuk është se ka arritur të futet në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

Deklarata e Osmanit se ky moratorium ka cënuar rendin Kushtetues të Kosovës, ka nxitur reagime nga opozita të cilët kanë theksuar se moratoriumi ka dalë nga Marrëveshja e Washingtonit, e cila është nënshkruar nga pala kosovare dhe ajo serbe në SHBA.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se njohjet nga shtetet e veçanta dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare, Kosova i ka marrë falë angazhimit të SHBA-ve, andaj pa SHBA-të, Mustafa ka deklaruar se Kosova s’do të ishte askund.

Është fakt të cilin e dimë të gjithë, se njohjet nga shtetet e veçanta dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare i kemi marrë falë angazhimit të SHBA-ve. Gjithëherë janë bërë në koordinim dhe konsultim me SHBA-të. Pa SHBA-të s’do ishim askund. Dikush mund të shet mend se ngrirja e aplikimeve për anëtarësim në organizata ndërkombërare për një vit, sipas Marrëveshjes së arritur në Zyrën Ovale në Washington, ka rrezikuar rendin kushtetues të Kosovës, por këtë e vlerësoj deklaratë të kotë. Boshe. Sepse askush s’na ka pritur në rend të anëtarësohemi dhe se institucionet e Kosovës edhe pas kalimit formal të afatit të moratoriumit nuk kanë aplikuar për anëtarësim”, ka deklaruar Mustafa.

Tutje, ai ka thënë se deklarata të tilla s’janë asgjë tjetër veç se pasojë e inateve dhe mosdurimeve të brendshme.

Mustafa ka thënë se këto lloj deklarata dëmtojnë partneritetin e Kosovës me SHBA-të, të cilat angazhohen për implementimin e Marrëveshjes.

SHBA-të janë shtet lider botëror që veprojnë mbi baza të interesave globale dhe të demokracisë botërore. E njohin shumë më mirë edhe Kushtetutën e Kosovës. Këtë do duhej ta dinin edhe juniorët që momentalisht janë në krye të institucioneve të vendit tonë, e të mos lëshojnë cilësime të tilla. Por, nëse dikush është i bindur se Kosova mund të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare pa përkrahje të Amerikës, le të provojë. Në qoftë se vlerëson se është rrezikuar rendi kushtetues, e ka për obligim ta mbrojë Kushtetutën. Prej kujt? Në këtë rast po del, prej aleatit tonë strategjik që ishte vendimtar ta bëjmë shtetin e Kosovës. Unë dyshoj që Kosovën do të mund ta anëtarësojnë në organizata ndërkombëtare liderët që çdo ditë e më shumë po e izolojnë Kosovën. As të arrijnë ndonjë njohje të re, për fat të keq! Letrat dhe mikrofonat durojnë çdo gjë; deklarime të mençura e të pamençura, por logjika e shëndoshë nuk i duron të gjitha”, ka thënë Mustafa për lajmi.net.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ishte pajtuar për një moratorium 1 vjeçar për të mos lobuar për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, derisa Serbia ishte pajtuar të ndalonte fushatën agresive kundër Kosovës.

/GazetaSinjali/