Radio Televizioni Publik i Kosovës ka reaguar me të marrë informacionin se Qeveria e Kosovës, në projektbuxhetin që e ka dërguar në Kuvend për vitin 2022 i ka hequr 2.2 milionë euro.
Përmes një reagimi ata kanë deklaruar se me këtë situatë RTK do të kolapsojë, pasi që sipas tyre edhe më parë e ka pasur buxhetin e vogël.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së u ka bërë thirrje drejtuesve të Komisionit për Buxhet dhe Trasnfere që gjatë dëgjimit publik dhe shqyrtimit të projektligjit për vitin 2022 ta korrigjojnë pjesën për RTK-në dhe të kthehet buxheti në lartësinë e caktuar sipas ligjit aktual të saj.
“Shkurtimi i buxhetit të RTK-së është bllokim i punës së transmetuesit të vetëm publik në vend, duke pasur parasysh se këto ditë janë ngritur edhe çmimet e të gjitha produkteve. Në shumë vende po ndodh ngritja e pagave, ndërsa neve si RTK, po na shkurtohet buxheti dhe po rrezikohet funksionimi”.
“Po ashtu rrezikohet edhe mirëqenia e kolegëve tanë dhe familjeve të tyre, andaj kërkojmë nga ju që ta ndryshoni propozimin e Qeverisë dhe ta ktheni buxhetin e RTK-së ashtu si ka qenë vitet e kaluara”, thuhet në reagimin e tyre.
Gjithashtu, ata kanë bërë të ditur se do të organizojnë takime me përfaqësuesit e Komisionit, por nëse kërkesat e tyre nuk kanë efekt, sipas tyre ata do të përdorin rrugët ligjore e sindikale.
Citim nga projektbuxheti për vitin 2022 pjesa për RTK-në:
12. “Për periudhën janar-dhjetor të vitit 2022, Radiotelevizionit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë
RTK), i ndahen tetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë euro (8,960,0000 €), në kategorinë
e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”. Para secilit tremujor, RTK-ja do të dorëzojë në
Komisionin për Buxhet dhe Transfere në Kuvend, programin e shpenzimeve të planifikuara.
Në fund të çdo tremujori, RTK-ja do të dorëzojë në Kuvend raportin për shpenzimet e bëra.
Mjetet sipas këtij paragrafi alokohen dhe transferohen nga Thesari në llogarinë të përcaktuar
nga RTK-ja në bankë komerciale, sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe
Transfere”./GazetaSinjali/