image Sindikata e Infermierëve të Kosovës paralajmëron sërish grevë

Shëndetësi

Sindikata e Infermierëve të Kosovës paralajmëron sërish grevë

news image

Me anë të një kumtese për media, Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka njoftuar anëtarësinë dhe opionin se do të mbahet grevë me 5 prill para objektit të Drejtorisë së ShSKUK-së.

Kjo për shkak të dështimit për reflektim ndaj kërkesave të komuniteteve infermier, mami dhe profesionistë tjerë shëndetësor nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, respektivisht dështimit për t’u përgjigjur në kërkesat e kësaj Sindikate.

Kërkesat e Sindikatës janë koeficienti i pagave të jetë 7.1 për të gjithë infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor, bazuar në tabelaren e koeficienteve e cila u publikua së fundi, respektivisht 70% e pagës së mjekut, ashtu siç ishte dhe është deri më sot.

Kërkesa tjera janë rritja e menjëhershme e pagesës së ndërrimeve të natës nga 18€ në 36€, pagesa e punës shtesë, respektivisht orët shtesë për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor, të paguhet menjëherë rrezikshmëria në punë për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor, të paguhet menjëherë puna gjatë vikendeve për infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor, ashtu siç u paguhet mjekëve, thuhet në komunikatë.

“Në konsultim me organet e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Kryesinë, Këshillin Drejtues dhe Këshillin për Protesta dhe Greva, bazuar në Ligjin mbi Grevat nr. 03/ L- 200 dhe Ligjin mbi Organizimin Sindikal në Republikën e Kosovës Nr. 04/L-011, në vazhdën e masave dhe veprimeve sindikale, me datë 05/04/2022, e Marte do të zhvillohet aktiviteti sindikal ‘GREVË PARALAJMËRUESE'”.

Greva do filloj në orën 08:00 deri në 09:00, ndërsa ftohen të gjithë anëtarët e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës që të mblidhen para objektit të Drejtorisë së ShSKUK-së.

Më tutje Sindikata qartëson se Këshilli Grevist ka për detyrë që gjatë kohës së grevës të bashkëpunojë me ShSKUK /QKUK-në për të siguruar minimumin e procesit të punës, kur një punë e tillë është e domosdoshme për jetën dhe sigurinë e qytetarëve ose është kusht i pazëvendësueshëm i jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

/GazetaSinjali/