Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti i cili anëtarët e SBAShK-ut i quajti “sindikalistë të PAN-it”, teksa bëri thirrje që të fillojë mësimi.
Në reagimin e saj në llogarinë e saj në Facebook, Çitaku ka thënë se në vend se të bëjë zgjidhje Kurti ka thumbuar mësuesit dhe arsimtarët.
Sipas saj, Kurti e ka problem të kuptojë institucionet të cilat nuk nënshtrohen.
“Si duket Kurti e ka problem ta kuptojë që në Kosovë ka organizata, sindikata, media, shoqata të pavarura, të cilat nuk nënshtrohen. Si duket e ka problem të kuptojë që ka njerëz që vendimet i marrin vet. Si duket e ka telashe me e pranu që jo të gjithë ia kanë frikën”, shkruan ajo.
Reagimi i saj i plotë:
Dobët Kryeministër, dobët.
Në vend se të ulet e të bëjë zgjidhje, Kurti paska vendosur edhe sot të thumbojë mësueset dhe arsimtarët tanë.
Njëhere, njerëzit e VV e quajtën kryesindikalistin njeri të Serbisë, e sot, Kryeministri i paska quajtur sindikatat “ sindikata të PAN-it.”
Si duket Kurti e ka problem ta kuptojë që në Kosovë ka organizata, sindikata, media, shoqata të pavarura, të cilat nuk nënshtrohen. Si duket e ka problem të kuptojë që ka njerëz që vendimet i marrin vet. Si duket e ka telashe me e pranu që jo të gjithë ia kanë frikën.
Kryeministër, ju jeni Kryeministër i Kosovës, jo i VV-së. Fatkeqësisht nuk po silleni si i tillë.
Jemi me 25 shtator, e fëmijët tanë janë në shtëpi. Hapi dyert e shkollave Kryeministër. Çelësat i ke në dorë ti.