Zëvendëskryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se protesta e sotme e serbëve në Kosovë, ishte për t’i dërguar një mesazh kryeministrit Albin Kurti, pasi që sipas tij, Qeveria e Kosovës padrejtësisht ndaloi mbajtjen e zgjedhjeve serbe më 3 prill në territorin e Kosovës.
Edhe Simiq, sikurse shefi i tij, Goran Rakiq ka vazhduar të përsëris deklaratat e njëjta, që duken krejtësisht të sinkronizuara me Beogradin. Sipas tij, mesazhi që u çua është se Kosova dhe kryeministri i saj, i kanë hequr të drejtën e votës serbëve të Kosovës.
“Ishte një reagim i fuqishëm i popullit serb, i cili nuk është gati të heq dorë nga e drejta për të jetuar një jetë në kushtet e shekullit 21”, ka thënë Simiq për B92.
Sipas tij, disa mijëra qytetarë të Mitrovicës Veriore dhe të Graçanicës, shprehën kundërshtimin e tyre ndaj politikave të Prishtinës.
“Është një politikë që përjashton serbët nga të gjitha institucionet dhe vetë Kosova”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se serbët nuk do të lejojnë që në krye të policisë në Mitrovicën veriore të jenë shqiptarët, ku, sipas tij, popullata është 95% serbe.
Simiq, po ashtu, ka përsëritur deklaratat e ditës, duke thënë se marrëveshje e Brukselit më nuk vlen për faj të Kurtit.
Ndërkohë, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka ndikim mbi Këshillin Prokurorial dhe rrjedhimisht nuk ngarkon as shkarkon zyrtarët nëpër gjykata. Ai ka thënë se kjo ndërhyrje mund të jetë e zakontë për Serbinë, por jo edhe për Kosovën që udhëhiqet sipas vlerave perëndimore të demokracisë.