image Simiq: Së pari de-eskalimi, pastaj flasim për zgjedhje

Politikë

Simiq: Së pari de-eskalimi, pastaj flasim për zgjedhje

news image

Nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit, Igor Simiq, ka thënë se “është e kotë të flasësh për zgjedhje të reja” në Veri, pa ndodhur de-eskalimi.

Këtë komete ai i bëri pas vizitës që kishte së bashku me kolegun nga partia e tij, Slavko Simiq, në Uashington, ku u takuan me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Nëse shikoni hapat, de-përshkallëzimi vjen i pari dhe pastaj flasim për zgjedhje. Nëse nuk ka de-përshkallëzim, historia për zgjedhjet është një histori hipotetike, nuk dua ta drejtoj për respekt për njerëzit që më mbështetën si përfaqësues të tyre dhe ata që protestojnë sot në mënyrë paqësore para komunave të tyre. Ata po kërkojnë, imagjinoni, të hyjnë në komunë dhe të bëjnë punën e tyre duke ofruar shërbime për serbët dhe shqiptarët dhe boshnjakët dhe të gjitha komunitetet tjera”, tha Simiq.

Ai refuzoi kategorikisht që në momentalisht të mbahen zgjedhje të reja në Veri, pas atyre të 23 prillit, të cilat Lista Serbe i kishte bojkotuar, pasi që theksoi se “pa plotësuar kushtet që na i kanë vënë qytetarët, nuk mund të diskutojmë mundësinë e zgjedhjeve”.

Madje, ai tregoi se këtë ia ka treguar edhe ndërkombëtarëve, përfshirë këtu edhe Escobar-it të cilin këtë javë e takoi në ambientet e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Po, dhe ne kemi hasur në një kuptim të madh të një qëndrimi të tillë. Dallimi i vetëm është se tek ata ka shpresë se do të ndodhë de-përshkallëzimi, dhe unë si njeri që jetoj në Kosovë nuk e shoh atë de-përshkallëzimin. Më shqetëson periudha që na pret, se dikush në Prishtinë do ta shfrytëzojë periudhën e këtyre pushimeve për të krijuar një problem tjetër në veri të Kosovës me lëvizje të njëanshme”, pretendon ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe.

“Në këtë kuptim, ne kërkuam qartë që SHBA, përmes popullit të saj, veçanërisht përmes institucioneve të sigurisë si KFOR-i, i cili ka legjitimitet dhe obligim sipas Rezolutës 1244, të jetë më prezente në Veri të Kosovës dhe të parandalojë cilindo që dëshiron të kërcënojë paqen në atë zonë dhe në të njëjtën kohë në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

/GazetaSinjali/