Dy hajna të maskuar dhe me kallashnikov kishin grabitur dy pika karburanti të kompanisë “Fetoshi” në fshatin Xërxë të Komunës së Rahovecit. Dy pikat e karburantit të kësaj kompanie në këtë fshat kishin qenë objekt i grabitjes nga disa hajna, raporton Sinjali.
Sipas videove incizimit të siguruara nga Sinjali, rasti i parë kishte ndodhur më 5 korrik të këtij viti. Aty shihet se në lokalin e kësaj pike karburanti ishin futur dy persona të maskuar që në duar mbanin kallashnikov.
Pasi kërcënojnë dhe sulmojnë fizikisht dy punëtorët ata largohen nga aty me të hollat që grabisin, raporton Sinjali.
Rast i ngjashëm, kishte ndodhur 18 ditë më pas, më 22 korrik. Në të njëjtën kompani, një pikë karburanti tjetër, një punëtor ishte grabitur nën kërcënimin e armëve dhe ishte sulmuar fizikisht.
Përkundër që punëtori sulmohet fizikisht dhe mbetet i shtrirë në tokë, dy grabitësit vazhdojnë ta godasin me shqelma, teksa i grabisin të hollat.
Ky rast është vetëm njëri nga rastet e shumta të grabitjeve të armatosura në pikat e karburanteve në Kosovës ku ende organet e rendit nuk kanë gjetur rrugën për t’i parandaluar ato.
Kujtojmë se kjo dukuri e grabitjeve në pikat e karburanteve është shtuar gjatë viteve të fundit. Sipas raportit të inspektimit policor, nga 297 grabitjet që kanë ndodh në vitin 2018, prej tyre 199 kanë qenë të armatosura./Sinjali/