Shpërthimi në portin e Beirutit e tronditi tërë kryeqytetin libanez, duke shkaktuar viktima e duke shkatërruar ndërtesa, ndërsa vazhdon të jetë lajmi më tragjik botëror i ditëve të fundit. Të paktën 137 njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 5,000 të tjerë janë plagosur.
Imazhet nga satelitët tregojnë dëmin e madh që e ka pësuar Beiruti, i cili është mësuar me skena të tilla prej luftrave, por jo prej një shpërthimi aksidental, siç ishte ai i 3 ditëve më parë.
Depot me ilaçe e vaksina janë dëmtuar dhe qendra më e madhe e dializës në Beirut u shkatërrua plotësisht.
Qendrat tregtare, restorantet dhe tregjet në qendër nuk i shpëtuan dëmit. Vitrinat dhe dritaret e dyqaneve u copëtuan nga shpërthimi. Kreu i qytetit, Marwan Abboud, tha se rindërtimi i pronave publike dhe atyre të trashëguara do të kushtonte miliarda dollarë.
Ndërkohë njerëzit në Beirut kanë shprehur zemërim ndaj qeverisë për shpërthimin që thuhet se ndodhi për shkak të neglizhencës duke vërshuar në protesta. Shumë njerëz akuzojnë autoritetet për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim. /Gazeta Sinjali