image Si u ndez SHBA nga një denoncues dhe një ish-kryeprokuror

Politikë

Triller politik/ Si u ndez SHBA nga një denoncues dhe një ish-kryeprokuror

news image

Amerika po përjeton këto ditë një triller politik si në filma. Demokratët kërkojnë shkarkimin e presidentit Donald Trump pasi e akuzojnë se ka përdorur pushtetin për të dëmtuar një rival politik. Akoma më e panjohur në këtë mes është historia e denoncuesit (filbilfryrësit), ankesa e të cilit solli këtë situatë. Në qendër të historisë është një ish-kryeprokuror në Ukrainë

Anëtarët e Kongresit amerikan kanë parë për herë të parë ankesën e denoncuesit (bilbilfryrësit) kundër Donald Trump, që ka sjellë edhe thirrjet për shkarkimin e tij.

Një demokrat e përshkroi atë si ‘shqetësuese’, kurse një republikan tha se ishte ‘problematike’.

Ankesa i referohet një telefonate të diskutueshme mes zotit Trump dhe presidentit të Ukrainës, thonë mediat amerikane.

Zhvillimet e fundit vijnë në kohën kur drejtori në detyrë i inteligjencës amerikane do të dëshmojë për këtë çështje.

Rrëfimi i Joseph Maguire për ankesën nga një oficer anonim i inteligjencës do të shqyrtohet nga afër kur ai të paraqitet përpara anëtarëve të Komisionit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve të enjten pasdite.

Përmbajtja e ankesës është akoma e klasifikuar, por demokrati më i vjetër në Senatin amerikan, Chuck Schumer, ka bërë thirrje për publikimin e menjëhershëm të saj.

Gjatë një konference për shtyp të mërkurën në mbrëmje, presidenti Trump e hodhi sërish poshtë nismën për shkarkimin e tij duke thënë se është një mashtrim dhe një gjueti shtrigash.

Sipas transkriptit të telefonatës së 25 korrikut, presidenti Trump i kërkoi homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky që të shqyrtojë pretendimet për korrupsion që përfshijnë djalin e Joe Biden, rivali i mundshëm i zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Nuk ka asnjë provë për ndonjë shkelje nga Biden dhe i biri.

Në një mesazh të mërkurën, zoti Biden e akuzoi presidentin Trump se ka shpërdoruar pushtetin.

Cilat janë lajmet e fundit?

Ankesa kundër presidentit iu dha dorazi anëtarëve të Kongresit të mërkurën.

Thuhet se ajo ka të bëjë jo vetëm me telefonatën e zotit Trump me presidentin Zelensky, por edhe me mënyrën se si janë trajtuar të dhënat e bisedës nga stafi i Shtëpisë së Bardhë, raportoi New York Times.

“Këto akuza më duken thellësisht shqetësuese. Po ashtu më duken shumë të besueshme,” tha Adam Schiff, kryetari demokrat i Komisionit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Mendoj se ajo që ka bërë ky individ i guximshëm, ka ekspozuar një shkelje serioze,” tha ai duke iu referuar denoncuesit. “Do të bëjmë gjithçka të jetë e mundur për t’ju mbrojtur”.

Ligjvënësit thonë se ata shpresojnë të dëgjojnë vetë denoncuesin, por nuk është planifikuar akoma një takim.

Një anëtar demokrat i komisionit, Mike Quagley tha se ankesa ishte thellësisht shqetësuese, kurse senatori republikan Ben Sasse, tha se aty kishte gjëra vërtet problematike.

“Republikanët nuk duhet vetëm të shtrëngojnë radhët për të mbrojtur zotin Trump,” tha ai.

Sidoqoftë, Mike Conaway, një anëtar republikan i Komisionit të Inteligjencës, tha se nuk mendon se kjo ankesë do e kompromentojë zotin Trump, duke shtuar: “Nuk kam parë asgjë që më shqetëson”.

Po hetimet për shkarkimin?

Demokratët e akuzojnë zotin Trump se po kërkon ndihmë nga jashtë me shpresën që të njollosë Joe Biden, duke përdorur ndihmën si një potencial të mundshëm për negociata.

Sipas Kushtetutës amerikane, një president mund të fajësohet për tradhti, ryshfet apo për krime të tjera të larta- një procedurë që mund të sjellë largimin e tij nga detyra.

Në korrik, zoti Trump ngriu ndihmën ushtarake për Ukrainën, por ai ka këmbëngulur se nuk e ka përdorur këtë gjë për t’i bërë presion qeverisë së re në Kiev.

Një nismë për shkarkimin e Trump nga Dhoma e Përfaqësuesve mund të provokojë një gjykim në Senat nëse duhet larguar presidenti nga detyra.

Hetimi i Kongresit fokusohet pjesërisht te fakti nëse zoti Trump abuzoi me pushtetin e tij presidencial me qëllimin për t’u rizgjedhur, duke kërkuar ndihmën e një qeverie të huaj për të minuar zotin Biden.

Drejtuesja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se të tilla veprime shënojnë ‘tradhti të betimit për postin’. Ajo shtoi: Askush nuk është mbi ligjin.

Por të mërkurën, zoti Trump mohoi që kishte bërë presion mbi presidentin ukrainas. “Nuk e kam bërë. Nuk kam kërcënuar askënd. Asnjë presion, asnjë shtytje, asgjë. Është një mashtrim njerëz, një mashtrim i madh”.

Çfarë thotë Trump për Biden në telefonatë?

Trump diskuton me presidentin e ri, Zelensky për largimin e kryeprokurorit Viktor Shokin në vitin 2016, sipas telefonatës së publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti dëgjohet në telefonatën gjysmëorëshe teksa thotë: “Kam dëgjuar se kishit një prokuror shumë të mirë dhe e shkarkuat. Kjo nuk është e ndershme”.

“Shumë njerëz po flasin për këtë, për mënyrën se si e shkarkuat një prokuror të mirë. Disa njerëz vërtet të këqinj ishin të implikuar”.

“Diçka tjetër, ka shumë fjalë për djalin e Biden, thuhet se Biden pengoi hetimin e të birit. Ka shumë njerëz që duan të zbulojnë diçka dhe çfarëdo që mund të bëni me kryeprokurorin amerikan, do ishte e madhe”.

Sipas ABC News, një këshilltar i zotit Zelensky pretendon se diskutimi për çështjen e Biden ishte një parakusht i SHBA për çdo telefonatë mes dy udhëheqësve.

Në telefonatë, presidenti amerikan i kërkon gjithashtu presidentit ukrainas që të punojë me Prokurorin e Përgjithshëm në SHBA, William Barr dhe me avokatin personal të zotit Trump, Rudolph Giuliani për të shqyrtuar çështjen.

Departamenti i Drejtësisë tha të mërkurën se Trump nuk ka folur me Prokurorin e Përgjithshëm për këtë çështje dhe se Barr nuk ka komunikuar me Ukrainën.

Cilat janë pretendimet kundër Joe Biden?

Zoti Trump dhe aleatët e tij konservatorë janë përqendruar në mënyrën se si zoti Biden, si zëvendëspresident amerikan në vitin 2016, loboi në Ukrainë për shkarkimin e zotit Shokin.

Zyra e zotit Shokin kishte hapur një hetim mbi kompaninë e gazit natyror Burisma, ku bën pjesë edhe djali i zotit Biden, Hunter Biden si anëtar bordi.

Të tjerë zyrtarë perëndimorë kishin kërkuar që zoti Shokin të pushohej nga puna për shkak të perceptimit se po tregohej i butë ndaj korrupsionit.

Biden tha vitin e shkuar në një takim se ai kishte kërcënuar se do ndalonte ndihmën prej 1 miliardë dollarësh në rast se nuk hiqej zoti Shokin. /BBC