image Si u infektua me koronavirus mjeku i QKMF-së në Mitrovicë dhe si është gjendja shëndetësore e tij - Sinjali

Si u infektua me koronavirus mjeku i QKMF-së në Mitrovicë dhe si është gjendja shëndetësore e tij

news image

Njëra ndër komunat e prekura me koronavirus është edhe Mitrovica Jugore. Në këtë qytet më 12 qershor u konfirmuan edhe 10 raste me koronavirus.  Sipas vendbanimit, 6 raste janë në Mitrovicë, 3 raste në fshatin Kçiq i madh dhe 1 rast Suhodoll, shkruan Gazeta Sinjali.

Njëri nga 10 pacientët që rezultuan pozitiv është edhe një mjek i Qendrës Kyresore Familjarë në këtë komunë.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj, tha se mjeku i infektuar ishte vetizoluar që një javë, për shkak se kishte dyshuar se është me koronavirus.

“Një doktor i QKMF-së në Mitrovicë ka rezultuar pozitiv. E mira është që i njëjti ka qenë në vetizolim që një javë për shkak se ka dyshuar se është infektuar. Mjeku i infektuar ka qenë pjesë e një organizate, ku drejtori i saj ka rezultuar pozitiv më herët”, ka thënë Hasanaj për Gazetën Sinjali.

Hasanaj tha se ky mjek nuk ka pasur kontakt me punëtorët e tjerë në QKMF.

Ndërsa, sa i përket gjendjes së pacientëve të konfirmuar me Covid-19, ajo tha se gjendja e tyre është stabile, përveç njërit nga pacientët, i cili Hasanaj njoftoi se -është dërguar për hospitalizim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“I kemi 13 raste aktive në Mitrovicë. Gjendja e tyre shëndetësorë është e mirë. Ndërsa një pacient, i cili nuk ka qenë në gjendje të mirë, është dërguar për hospitalizim në QKUK. Pacientët e tjerë janë në vetizolim”, deklaroi Hasanaj.

Ajo po ashtu njoftoi se është dërguar edhe një numër i mostrave në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë për t’u testuar.

“Në bashkëpunim me qendrat e mjekësisë në Mitrovicë janë dërguar edhe një numër i mostrave në IKSHPK, por të cilat mbrëmë nuk kanë arritur të përfundohen” tha Hasanaj për Gazetën Sinjali.

Mbrëmë IKSHPK ka njoftuar edhe për 53 raste të reja me koronavirus në Kosovë.

Kurse, nga data 08 shkurt deri më 13 qershor 2020, në IKSHPK, janë testuar gjithsej 18.247 persona të dyshuar me koronavirus dhe prej tyre pozitiv kanë rezultuar 1.437 raste, me gjithsej 32 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Ndërkaq, numri i pacientëve të shëruar është 928. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin