Që kur vendimi i Gjykatës Supreme në SHBA, i njohur si “Roe v Wade”, legalizoi abortin në mbarë vendin në vitin 1973, kjo çështje është bërë përcaktuese në prishjen e linjave në politikën e SHBA-së: me politikanët demokratë që mbështesin me vendosmëri të drejtat e abortit dhe ligjvënësit republikanë të rreshtuar në opozitë.
Vendimi “Roe v. Wade” është bazuar në konstatimin se e drejta e gruas për të ndërprerë shtatzëninë, bën pjesë në liritë personale, të mbrojtura me Amendamentin e 14-të të Kushtetutës amerikane.
Në vitin 1973, linjat ishin më të paqarta. Votuesit republikanë dhe demokratë kishin të ngjarë të thoshin se aborti duhet të ishte i ligjshëm, ndërsa ishte e lehtë të gjeje zyrtarë republikanë që mbështesnin të drejtat e abortit dhe demokratë që i kundërshtonin.
Çka ndryshoi?
Kjo nuk është një çështje partiake në rend të parë.
Aborti, sipas kërkesës, ishte i ligjshëm në katër shtete në fillim të viteve 1970, ndërsa 14 të tjera e lejuan atë në disa rrethana.
Derisa Kisha Katolike e kundërshtoi abortin, Konventa Baptiste Jugore – emërtimi më i madh ungjillor – thoshte se aborti duhet të lejohej në shumë rrethana.
Asnjëra palë nuk e shihte abortin si një çështje përcaktuese.
Republikanët, si zonja e parë Betty Ford, thanë se vendimi “Roe v Wade” ishte “një vendim shumë i madh”, ndërsa disa demokratë, si një senator i sapozgjedhur, i quajtur Joe Biden, thanë se vendimi i gjykatës shkoi “shumë larg”.
Votuesit gjithashtu nuk e panë këtë çështje sipas linjave partiake. Sondazhi i opinionit të Anketës së Përgjithshme Sociale zbuloi në vitin 1977 se 39% e republikanëve thanë se aborti duhet të lejohej për çfarëdo arsyeje, krahasuar me 35% të demokratëve.
Lëvizja konservative që mobilizoi
Në vitet që pasuan, aktivistët konservatorë si Phyllis Schlafly e kuptuan këtë çështje si një kërcënim për vlerat tradicionale dhe mobilizuan kisha ungjillore, të cilat kishin treguar një interes të ri në politikë pas një sërë vendimesh gjyqësore që kufizonin lutjet në mjedise publike.
Këto grupe e portretizuan abortin si një kërcënim për strukturën e familjes, së bashku me zhvillimet më të gjera sociale si të drejtat e homoseksualëve, rritja e shkallës së divorcit dhe gratë që punojnë jashtë shtëpisë. Për pastorët dhe famullitë, aborti u bë një çështje përfaqësuese e shqetësimeve për një shoqëri liberalizuese, tha Mary Ziegler, një historiane ligjore në Universitetin e Kalifornisë në Davis.
“Për shumë ungjillorë, kjo ishte më shumë për familjen, gratë dhe seksin”, tha ajo.
Në vitin 1980, Konventa Baptiste Jugore miratoi një rezolutë që kundërshtonte abortin, duke përmbysur pozicionin e saj të mëparshëm.
Fitorja presidenciale e republikanit Ronald Regan, në të njëjtin vit u dha kundërshtarëve të abortit një aleat të fuqishëm në Shtëpinë e Bardhë. Në të njëjtën kohë, aktivistët për të drejtat e grave fituan më shumë ndikim brenda Partisë Demokratike dhe i shtynë liderët të mbështesin të drejtat e abortit.
Por, mbështetja për “Roe v Wade” ende nuk ishte e rreshtuar sipas linjave partiake.
Në një votim të Senatit të vitit 1983, 34 republikanë dhe 15 demokratë votuan për një amendament të propozuar kushtetues që do të kishte anuluar vendimin e “Roe v Wade”, ndërsa 19 republikanë dhe 31 demokratë votuan kundër tij.
Sondazhe të tjera të opinionit kanë treguar vazhdimisht se shumica e amerikanëve mbështesin disa kufizime për abortin, por kundërshtojnë një ndalim të plotë.
Në të njëjtën kohë, demokratët janë bërë më absolut në mbështetjen e tyre për të drejtat e abortit.
Biden, i cili mbështeti një ndalim të financimit federal për shumicën e aborteve në programin Medicaid për të varfërit për pjesën më të madhe të karrierës së tij politike, e ndryshoi pozicionin e tij, kur kërkoi nominimin presidencial demokrat në vitin 2020.
Në Kongresin aktual, vetëm një demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve dhe një Demokrat i Senatit votuan kundër legjislacionit që do ta bënte abortin të ligjshëm në mbarë vendin në të gjitha rrethanat. Projektligji dështoi në Senat, por demokratët kanë thënë se planifikojnë ta bëjnë atë një çështje qendrore në zgjedhjet e nëntorit 2022.
Midis votuesve demokratë, mbështetja për abortin e pakufizuar është rritur nga 56% në 2016 në 71% vitin e kaluar, referuar Anketës së Përgjithshme Sociale, ndërsa mbështetja e republikanëve vazhdon të lëvizë rreth 34%.
Aborti nuk do të bëhet menjëherë i paligjshëm në të gjithë SHBA-në.
Në vend të kësaj, secili shtet do të vendosë se sa qasje në abort do të kenë gratë që jetojnë atje, shkruan REL.
Megjithatë, rreth gjysma e 50 shteteve të SHBA-së pritet të bëjnë hapa drejt ndalimit të abortit, brenda javësh.
Shtetet e tjera do të vazhdojnë të ofrojnë qasje, jo vetëm për gratë në shtetin e tyre, por edhe për ato që jetojnë në shtetet ku do të ndalohet aborti.