Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), gjatë ditës së djeshme ka ngritur aktakuzë ndaj Mendim Sojevës, i cili dyshohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale Përvetësimi në detyrë, si dhe ndaj Ganimete Gashi – Ahmetit, me dyshimin se këta të dy në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Hyrje në sistemet kompjuterike, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Sinjali, i akuzuari Mendim Sojeva, dyshohet se në vazhdimësi prej vitit 2014 e deri në fund të muajit mars të vitit 2018, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme – paratë dhe të njëjtat i ka tërhequr në emër të avanceve për udhëtime zyrtare për zyrtarët e Agjencionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), të cilat i janë besuar në menaxhim të akuzuarit për shkak të pozitës së tij në atë institucion, si udhëheqës i divizionit për buxhet dhe financa.
Në dispozitivin e aktakuzës së ngritur, Mendim Sojeva akuzohet se ka pranuar 1 milion e 335 mijë e 441 euro nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë, Fatmir Kajtazi, në emër të avanceve për udhëtime zyrtare, mirëpo as sot e kësaj dite për 1 milion e 221 mijë e 501 euro nuk ka ndonjë dëshmi se çka ka ndodhur me ato mjete.
Dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Sinjali, kanë deklaruar pranë Prokurorisë Themelore dhe Prokurorisë Speciale, se personi i vetëm përgjegjës për mjetet e avanceve ka qenë i akuzuari, Mendim Sojeva.
Prokuroria Speciale pretendon se Mendim Sojeva, në vazhdimësi, që nga viti 2014 e deri në mars të vitit 2018, ka keqpërdorur me llogaritë e zyrtarëve në Ministrinë e Financave – Thesarit, duke u kyçur në llogaritë e tyre pa lejen dhe pa dijeninë e tyre, i njëjti ka shkelur procedurat e brendshme për tërheqjen e mjeteve, sipas të cilave kërkohet që dokumentet për avance të aprovohen apo miratohen nga menaxhmeti i AKPPM-së, si dhe për mjetet në shumë prej 1 milion e 221 mijë e 501 euro në AKPPM nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.
Sojeva, si udhëheqës i divizionit për buxhet dhe financa në Agjencionin Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), duke u bazuar në atë se mjetet i ka marrë në emër të avanceve për udhëtime zyrtare, asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë dëshmi se cili zyrtar i ka pranuar ato mjete.
Mendim Sojeva edhe në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës – SIMFK dhe Ganimete Gashi – Ahmeti, në cilësinë e zyrtares shpenzuese për qasje në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës, SIMFK, në Ministrinë e Shëndetësisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, në bashkëkryerje, në mënyrë të paautorizuar përmes web-shfletuesit internet explorer kanë hyrë në sistem kompjuterik SIMFK, me fjalëkalimin e personave zyrtarë të Ministrisë së Financave – Thesarit, ashtu që të njëjtit kanë përdorur llogaritë dhe fjalëkalimet e zyrtarëve të Thesarit, Bali Morinës dhe Ibadete Shalës.
Në aktakuzën ndaj tyre, pretendohet se dy të akuzuarit, në bashkëkryerje, në emër të zyrtarëve të Thesarit, janë qasur sistemit SIMFK, kanë mbyllur avancet dhe kanë bërë regjistrimin si shpenzim dhe certifikim të avanceve për udhëtime zyrtare, të tërhequra nga banka gjatë vitit 2017.
Të akuzuarit për kryerjen e veprës penale Hyrje në sistemet kompjuterike, kishin hyrë në mënyrë ilegale në sistemin SIMFK, duke përdorur fjalëkalimin, në emër të Bali Morinës, si zyrtar i Ministrisë së Financave – Thesarit, ku të njëjtit kanë regjistruar si shpenzim i avanceve për udhëtime zyrtare 15 kupona shpenzimi në vlerë prej 20 mijë e 850 euro.
Ndërsa, sa i përket mënyrës së keqpërdorimit të llogarisë së Ibadete Shalës, po ashtu zyrtare e Ministrisë së Financave – Thesarit, sipas Prokurorisë të dyshuarit akuzohen se gjatë periudhës 8 deri 12 shkurt 2018, kishin regjistruar si shpenzim i avanceve për udhëtime zyrtare 72 kupona shpenzimi, në vlerë prej 154 mijë e 736 euro.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Hyrje në sistemet kompjuterike.
Procedura për pranimin e mjeteve për avance për udhëtime zyrtare nga zyrtari i AKPPM-së përbëhet prej disa veprimeve, e cila fillon me një kërkesë nga zyrtari, i cili do të udhëtojë, kërkesë kjo e cila duhet të aprovohet nga departamenti, në të cilin punon ai zyrtar, pastaj e njëjta kërkesë duhet të nënshkruhet nga kryeshefi ekzekutiv (ZKA) dhe të dërgohet në departamentin e financave, ku aprovohet nga drejtori i financave në këtë departament dhe si hap i fundit bëhet zotimi i mjeteve nga zotuesi i AKPPM-së.
Gazeta Sinjali do të ju sjellë edhe detaje të reja se si dyshohet se ndodhi ky keqpërdorim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/