image Si transmetohet lija e majmunëve dhe ç’të bëni për t’u mbrojtur

Shëndetësi

Si transmetohet lija e majmunëve dhe ç’të bëni për t’u mbrojtur

news image

Numri i rasteve të konfirmuara të lisë së majmunit po rritet, veçanërisht në Evropë dhe Amerikën e Veriut, duke bërë që OBSH të shpallë një emergjencë globale shëndetësore.

Instituti për Shëndet Publik i Serbisë “Dr. Milan Jovanović Batut” njoftoi se në Serbi janë regjistruar dhjetë raste të lisë së majmunëve.

Virusi, i cili është më pak vdekjeprurës se fruthi, zakonisht zgjat dy deri në katër javë dhe simptomat mund të shfaqen diku nga dita e pestë deri në 21 ditë pas infektimit.

Megjithëse profesionistët e shëndetit në mbarë botën theksojnë se rreziku për përhapje është shumë i ulët, është e rëndësishme të dini se si përhapet lija e majmunëve dhe çfarë mund të bëni për të mbrojtur veten nga infeksioni.

Si përhapet lija e majmunit?

Forma më e mundshme e infeksionit është nëpërmjet një kafshe të infektuar. Mund të jetë pas një kafshimi, gërvishtjeje ose konsumimi të mishit të kafshëve të papjekur.

Lija e majmunit gjithashtu mund të transmetohet nga personi në person. Megjithëse fillimisht mendohej se ishte e rrallë, një rritje e fundit dhe jashtëzakonisht e shpejtë në të ashtuquajturat infeksione të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore ka ngritur shqetësime, shkruan euronews.

Zakonisht ato përhapen midis njerëzve në tre mënyra: nga spërklat e pështymës gjatë komunikimit, me kontakt të drejtpërdrejtë, pra përmes puthjeve apo kontaktit lëkurë-lëkurë me një person të infektuar dhe më rrallë me kontakt indirekt, përmes veshjeve.

Virusi në përgjithësi nuk konsiderohet si një infeksion seksualisht i transmetueshëm, megjithatë Dr. John Brooks, një epidemiolog në Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve mendon se duhet të kujdesemi dhe në atë aspekt.

Si të mbroheni nga lija e majmunit?

Ekzistojnë një sërë masash paraprake që mund të merrni për të zvogëluar rrezikun e prekjes nga lija e majmunit.

Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qendrave të SHBA-së për Kontrollin e Sëmundjeve, këto janë masat më të mira paraprake:

  • lani duart rregullisht me sapun ose dezinfektojini me alkool
  • përdorni pajisje mbrojtëse personale kur jeni në kontakt me persona të infektuar
  • konsumoni mish të gatuar siç duhet
  • mos iu afroni kafshëve të egra dhe të ngordhura
  • mos i ndani çarçafët apo peshqirët me personat që janë të sëmurë
  • mos mbani kontakte të ngushta me njerëz që kanë konfirmuar infektimin me linë e majmunit

Çfarë duhet të dini nëse sëmureni?

Simptomat fillestare të lisë së majmunit mund të përfshijnë dhimbje koke, dhimbje muskujsh, ënjtje, dhimbje shpine dhe ethe.

Brenda një deri në pesë ditë pas infektimit, lezione dhe skuqje shfaqen në të gjithë trupin – duart, fytyrën, këmbët, sytë, gojën dhe organet gjenitale. Këto përfundimisht kthehen në gunga që formojnë flluska, disa prej të cilave mbushen me lëng të bardhë dhe më pas shpërthejnë. Është ky lëng që është ngjitës.

Individët që sëmuren nga lija e majmunit zakonisht shërohen brenda dy deri në katër javë.

Përndryshe, simptomat mund të ngatërrohen me sëmundje të tjera – si herpesi, sifilizi ose lija e dhenve, ndaj është e rëndësishme të konfirmoni diagnozën e saktë sa më shpejt të jetë e mundur.

/GazetaSinjali/