Ka dy ditë që ka filluar të normalizohet puna me rastet joemergjente në Zvicër, thotë për Gazetën Sinjali, Florim Cuculi, kardiolog në Spitalin Kantonal të Lucernit.
“Tani po i shikojmë edhe raste joemergjente. Një pjesë e madhe e stafit të kardiologjisë, sidomos mjekët, u transferuan në repartet ku kishim pacientë me Covid-19” thotë Cuculi.
Sipas doktorit, Zvicra asnjëherë nuk ndaloi së funksionuari në tërësi. Ai thotë se atje u vendos për gjysmë-karantinë.
“Jeta nuk pushoi komplet, por u mbyllën shkollat, u mbyllën restorantet, eventet sportive etj. Mirëpo, nuk kemi pasur orë policore, kemi mund të lëvizim pa problem. Popullata këtu i mori me shumë seriozitet rekomandimet e qeverisë dhe distancimi social filloi të funksionojë që nga dita e parë” thotë ai.
Doktori thotë se ndër masat e para të ndërmara në fushën e mjekësisë ka qenë ndalimi i vizitave të familjarëve nëpër spitale, pezullimi i punës më rastet joemergjente dhe krijimi i kapaciteteve për të sëmurët me Koronavirus.
“Kjo funksionoi shumë shpejtë dhe tani në retrospektivë mund të konstatojmë që as një çerek i kapacitetit që u krijua nuk u shfrytzua në spitalin tonë. Por mirë qe u pregatitëm mirë sepse situata mund të përkeqësohet përsëri dhe tani e dimë cilat masa duhet marrë” thotë Cuculi për Sinjalin.
I pyetur se a është izolimi forma e duhur e parandalimit të përhapjes së COVID19, Cuculi thotë se është pro izolimit por hallin e ka të kohëzgjatja e tij.
“Në një shoqëri normale nuk mund t’i mbyllësh pacientët me muaj. Të gjitha qeveritë që kanë shpallur “lock-down” total kanë bërë mirë në mënyrë që situata të stabilizohet, mirëpo si do dalim nga kjo situatë është pyetja. Nuk kemi vaksinim dhe ky virus nuk është zhdukur ende” thotë ai.
Cuculi thotë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të shihen të gjitha praktikat e menaxhimit të virusit nëpër botë dhe të krijohet një plan i mirë për të dalur nga kjo situatë edhe në Kosovë.
Ndërsa si kardiolog thotë se pacientët me sëmundje në zemër nuk duhet të jetojnë në stres e panik.
“Jam i sigurt që shumica e pacientëve që kanë problem me zemër mund t’a përmballojnë mirë COVID19 . Me rëndësi është mosha si faktor kryesor i mortalitetit dhe natyrisht edhe llojet e sëmundjeve në zemër. Është krijuar pasiguri e madhe dhe duhet të cekim se vdekshmëria te pacientët 65-vjeçarë edhe me sëmundje të zemrës është e ulët” thotë ai.
Kardiologu shqiptar thotë se shumica e pacientëve të vdekur në Zvicër ishin mbi moshën 80-vjeçare dhe me sëmundje shoqëruese./Gazeta Sinjali/