Forcat ruse janë në Kharkiv, qytetin e dytë të Ukrainës, në orët e para të mëngjesit të së dielës, në ditën e katërt të pushtimit rus në shkallë të plotë.
Rusët filluan sulmin e tyre të enjten nga veriu drejt Kievit, nga lindja drejt Kharkiv, Sumy, Donetsk dhe Luhansk dhe nga Krimea në jug.
Dhjetra objektiva janë goditur, ndërsa trupat ruse janë derdhur në Ukrainë dhe kanë nisur sulme me raketa në qytetet kryesore, shkruan BBC, përcjell Gazeta Sinjali.
Forcat ruse mbërritën në Obolon në periferi të Kievit të premten, por deri më tani nuk kanë avancuar në qendër të kryeqytetit.
Trupat ruse tani kontrollojnë një shteg të ngushtë përtej lumit Dnieper në lindje të Kievit, sipas Institutit për Studimin e Luftës.
Gjatë natës pati raportime për përleshje me të ashtuquajturat grupe diversante në rrugët e qytetit – dhe një depo nafte u godit në Vasylkiv në jug të qytetit.
Një bllok banimi në periferi të Buçës u godit nga granatimet.
Të shtunën pati shpërthime në perëndim të qytetit pranë Peremohy Avenue dhe një ndërtesë banimi u godit nga një raketë.
Ka pasur luftime të ashpra në aeroportin Hostomel, në perëndim të Kievit.