image Si 'ia anuloi' Shqipëria fluturimin emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak

Politikë

Si ‘ia anuloi’ Shqipëria fluturimin emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak

news image

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbetur i bllokuar në aeroportin e qytetit Zurichut. Lajçak e kishte zgjedhur këtë mundësi për të qenë sot i pranishëm në një vizite zyrtare në Prishtinë, të parën që kur e mori këtë detyrë.

Me Lajçakun u bllokuan edhe një numër i madh pasagjerësh të cilët prisnin që gjatë ditës së djeshme të udhëtonin me avionin e kompanisë zvicerane Edelweiss, nga Zyrihu në Tiranë.

Kompanisë Edelweiss, nuk i është lejuar fluturimi drejt aeroportit Nënë Tereza të Tiranës. Autoritetet shqiptare i thanë Zërit të Amerikës, se kompanisë ajrore zvicerane nuk i ishte dhënë asnjë leje, aq më tepër kur mes Shqipërisë dhe Zvicrës nuk është nënshkruar ende një marrëveshje për rihapjen e fluturimeve, të cilat u pezulluan për shkak të pandemisë së COVID 19.

Rihapja po bëhet graduale, dhe në këto momente, një pjesë e shteteve po operojnë përmes marrëveshjeve dypalëshe, siç ka ndodhur mes Shqipërisë dhe Austrisë, Serbisë dhe Greqisë, thanë zyrtarë të ministrisë së Infrastrukturës, duke shtuar se Shqipëria madje i ka bërë kërkesë Zvicrës, për rinisjen e lidhjeve ajrore, por ende pala tjetër nuk ka dhënë pëlqimin.

Për situatën e krijuar, nuk ka një reagim nga kompania zvicerane. Zëri Amerikës ju drejtua shoqërisë Edelweiss, për shpjegime përmes emailit, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk kishte marrë ende përgjigje. /Gazeta Sinjali/